Ç’po ndodh me PD-në pas zgjedhjeve?

PD-ja humbi zgjedhjet. Selia Blu justifikohet se “na i vodhi Rama”. Ndërkohë krejt liderët europianë ishin me 16 maj në Tiranë dhe uruan publikisht Edi Ramën për fitoren.
Në statutin e PD-së shkruhet se kur kryetari i partisë humbet zgjedhjet, jep menjëherë dorëheqjen. Por Berisha nuk i quan zgjedhje, sipas tij “ishin farsë”. Pra një mënyrë për të mos ikur nga drejtimi i PD.
Natyrisht që Berisha mund të bëjë ç’të dojë me partinë e tij, sepse tashmë ajo kështu quhet “parti e Sali Berishës”. Problemi është se nuk kemi opozitë solide, të besueshme dhe që të jetë konkuruese për të marrë pushtetin.
PS dhe Edi Rama morën afro 330 mijë vota me shumë se PD.
Kurse 150 mijë vota shkuan për partitë e reja, që sipas analistëve shumica e tyre u shkërmoqen nga trupi i PD.
Por prapë nuk dalin hesapet, sepse Berisha mbetet shumë pas Edi Ramës.
Justifikimi i përhershëm në PD se “Rama na vjedh votat” nuk krijon besim te ata që janë antiRama, sepse ka shumë beteja elektorale të cilat i fiton të gjitha PS-ja, ndaj vetë demokratët dhe njërëzit kundra qeverisë nuk shpresojnë më të drejtimi i PD-së.
Ka nevojë për ndryshim lidershipi, bile ndryshim total në selinë Blu. Gjetja e një lideri përbashkues duket një mision i vështirë deri sa të jetë Berisha në tregun politik opozitar.
Berisha e ka bërë epokën e tij politike. I mbetet vetëm ajo biologjike!
Në vend që të hapte udhë, Berisha vetëm sa ngulet në oborrin e selisë Blu. Ka figura plot PD-ja nëse donte të freskonte drejtimin e saj. Që nga Jozefina Topalli, një berishiste e sprovuar, por një demokrate e paepur dhe përbashkuese, te Tomor Alizoti një “ngrënës” fizik i Edi Ramës, apo Jorida Tabaku një fituese e madhe e këtyre zgjedhjeve deri te Ilir Alimehmeti, një gjetje e re në PD, i cili pëlqehet edhe nga elektorati gri, elektorat që të sjellë në pushtet. Apo intelektualin demokrat Agron Gjekmarkaj, i cili mbetet i vetmi nga drejtuesit politik në qarqe që fitoi 4 me 3 në Lezhë.
Ka emra plot, nëse duan në PD të vijnë në pushtet. Por Berisha nuk ikën.
Ndaj Edi Rama fërkon duart, i duhet Berisha prapë!