“Croatian job”, fijet e fshehta pas tenderit 15 mln euro të faturimeve

Nga Klodian Tomorri 

Në 21 shtator të vitit të kaluar Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit zhvilloi pa zhurmë një tender me fond limit 1.9 miliardë lekë ose 15.5 milionë euro, objekti i të cilit ishte ndërtimi i një sistemi të ri faturimi për biznesin. Pa studim fizibiliteti dhe në mungesë të plotë transparence, projekti parashikonte ndryshimin rrënjësor të mënyrës së si biznesin regjistron transaksionet e përditshme duke nxjerrë jashtë loje kasat ekzistuese fiskale dhe duke i zëvendësuar ato me një program të ri kompjuterik.

Në tender u paraqitën tre oferta. E para ishte e një bashkimi të përbërë nga tre kompani; kroatja Neos si dhe shqiptaret Jehona Software dhe Datech sh.p.k me vlerë 1 miliardë e 865 milionë lekë.

Oferta e dytë ishte e kompanisë BNT Elektroniks me vlerë 1 miliardë e 869 milionë lekë, ndërsa kompania e tretë që garoi ishte B360, e zotëruar nga baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, shtetasi Armand Frangu. Por dyshimet që tenderi të ketë patur garë reale janë të forta.

Së pari, BNT Elektroniks është një kompani jo e panjohur për Jehona Software. Madje të dyja kanë fituar të paktën dy tendera në konsorcium së bashku dhe të dyja nga Bashkia e Tiranës.

Ndërsa për B360, kompaninë e baxhanakut te kryeministrit dyshimet janë edhe më të forta, pasi kjo kompani nuk ka paraqitur fare ofertë financiare në tender. Pra, në garë ka gjasa të ketë patur vetëm një ofertë reale dhe dy të tjerat kanë shërbyer si koperturë për të legjitimuar tenderin. Kjo është dhe arsyeja se pse tenderi u fitua me gati 99 për qind të fondit limit.

Në 12 tetor, rreth 3 javë pas zhvillimit të garës, AKSHI shpalli fitues të tenderit konsorciumin e përbërë nga kroatja Neos dhe dy kompanitë shqiptare Jehona Softëare dhe Datech sh.p.k duke u dhënë kontratën e majme 15.2 milionë euro ose sa 99 për qind e fondit limit për të ndërtuar sistemin e ri elektronik të faturimit për bizneset.

Ky do të ishte fillimi i një afere me transaksione të dyshimta dhe përfshirje te personazheve të fuqishëm në Zagreb e Tiranë, fijet e ngatërruara të së cilës përplasen deri në zyrën e Bashkimit Europian në Shqipëri, në atë kohë e drejtuar nga kroatja, Romana Vlahutin.

Kombësia kroate e një prej kompanive fituese të tenderit nuk ishte “rastësia” e vetme e lidhjes mes tenderit 15.2 milionë euro dhe Romana Vlahutinit. Jehona sh.p.k, kompania tjetër në konsorciumin fitues po ashtu do të ekspozonte të tjera fije në Zagreb dhe zyrën e BE-së në Tiranë të drejtuar nga Vlahutin.

Që prej vitit 2014, Jehona Software ka qenë në pronësinë e dy ortakëve, Klodian Zyberi dhe Armanda Sellajt. Kjo e fundit ka punuar si eksperte lokale e Euralius në Shqipëri për drejtësinë kriminale dhe zyrën e prokurorisë. Ndonëse i keqintepretuar shpesh si një organizëm i Bashkimit Europian, në të vërtetë Euralius ka qenë një projekt asistence për reformën në drejtësi i financuar nga Bashkimi Europian përmes një kontraktori privat, i cili u përzgjodh nga zyra e BE-së në Tiranë. Pra praktikisht punëdhënësja e Euraliusit dhe ekspertëve të saj, mes të cilëve edhe zonjës Sellaj, ishte Romana Vlahutin.

Të gjitha këto mund të jenë rastësi. Por nuk mbaron këtu Lidhjet e aksit Tiranë-Zagreb në kontratën 15.2 milionë euro të kasave do të bëheshin edhe më të forta. Në mënyrë të cuditshme, në 6 shtator të vitit 2018, pra vetëm 2 muaj pasi kishte fituar tenderin 15.2 milionë euro nga qeveria shqiptare, kompania Jehona shpk është shitur tek një kompani e panjohur kroate me emrin Primus Adriatic.

Çmimi i shitjes në kontratën e depozituar në QKR është mbajtur sekret, por ky është vetëm një nga misteret e shumta të transaksionit. Sipas dokumentave nga regjistri kroat i bizneseve, Primus Adriatic është themeluar në datën 12 qershor të vitit 2018, pra tre muaj para tenderit në Shqipëri dhe më pak se tre muaj para se të blinte Jehona sh.p.k. Dhe rastësitë bëhen edhe më të forta. Pra në qershor themelohet në Kroaci Primus Adriatic. Në 6 shtator blen kompaninë shqiptare Jehona Software dhe në 21 shtator Jehona në konsorcium me një kompani tjetër kroate fiton tender 15.2 milionë euro.

Dhe nuk mbaron këtu. Pronari i Primus Adriatic është Hrvoje ?abraji?, një emër i njohur në Kroaci dhe partnerë biznesi me vellain e ish kryeministri kroat Zoran Milanovic, ky i fundit tashmë një emër i njohur në Shqipëri.

Në dhjetor të vitit 2017, Zoran Milanovic u pajtua nga qeveria shqiptare si këshilltar për të asistuar Shqipërinë në procesin e integrimit europian. Sipas mediave kroate, kumbara e marrëveshjes që solli Milanovic në Shqipëri ishte Romana Vlahutin. (Lexo https://www.total-croatia-news.com/…/23323-former-prime-min…).

Zoran Milanovic ka qenë kryeministër i Kroacisë në periudhën 2011-2016 dhe njëkohësisht drejtues i SDP-së bashkë me presidentin Ivo Josipovic. Të dy këta janë një njohje e hershme e Romana Vlahutinit, e cila ka qenë shumë e lidhur me SDP-në duke shërbyer si dhe një nga këshilltaret më të afërta të presidentit Josipovic.

Vetëm pesë muaji pasi Milanovic u bë këshilltar i kryeministrit Rama, qeveria shqiptare do të niste procedurat për tenderin e fiskalizimit dhe kontrata 15.2 milionë euro do të përfundonte në duart e firmave kroate, njëra prej të cilave e hapur pas zhvillimit të tenderit dhe me pronar ortakën e vëllait të tij në biznes.

Të gjitha rrugët e tenderit të majmë të faturimit të çojnë në Zagreb. Dhe shumica e tyre duket se kalojnë edhe nga zyra e Bashkimit Europian në Tiranë, gjatë kohës që ajo drejtohej nga Vlahutin.

Disa në mënyrë të dukshme të tjera përmes manovrave më pak të dukshme si ajo e Primus Adriatic. Biznesit dhe qytetarëve shqiptarë tashmë u ka mbetur vetëm të paguajnë faturën e majme 15.2 milionë euro dhe të përgatiten për të paguar miliona euro të tjera për të blerë programet e reja kompjuterike, që do të zëvendësojnë kasat.

Një “Croatian Job”. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse është gatuar vetëm në zyrat e qeverisë shqiptare apo dhe ato te institucioneve ndërkombëtare.

SHKARKO APP