Çuçi: Reformim tërësor për AKU-në, garantojmë sigurinë ushqimore

Ligji për Ushqimin dhe Shërbimin Veterinar do të ndryshojnë, si dhe do të bëhet një reformim tërësor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë ushqimore në sistem. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, teksa vizitoi në Korçë një prej thertoreve dhe fabrikave më të mëdha në vend të përpunimit të mishit, e cila është mbështetur gjithashtu me fonde nga AZHBR.

“Brenda muajit shkurt ne do të miratojmë në Parlament ndryshimet përkatëse në ligjin për Ushqimin, të cilat i hapin rrugë një reformimi tërësor të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për ta kthyer këtë institucion nga një agjenci ku 60% të punës merret me kontrolle rutinë të kioskave, fast food-eve apo restoranteve në një agjenci që të garantojë sigurinë ushqimore në sistem, në mënyrë që të paraprijmë gjithë procesin e përafrimit të standareve tona me ato europiane”, tha ministri Çuçi, njofton zyra e shtypit e ministrisë së Bujqësisë.

Ndërkohë sa i përket ligjit për Shërbimin Veterinar, ministri tha se tashmë është miratuar në qeveri dhe pritet të kalojë për shqyrtim në parlament.

Me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Ushqimin, ndër të tjera do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare.

“Synojmë një ridimensionim tërësor të shërbimit veterinar në Shqipëri. Këto janë procese që ne po i ndërmarrim në mënyrë që hap pas hapi të shkojmë drejt standardizimit të sigurisë ushqimore në Shqipëri me atë europiane”, tha ministri Çuçi.

SHKARKO APP