Çun Lajçi: Ti të bëhesh nuse në Rugovë? Rugovci të bëhet dhëndri im!
Aktualitet Kultura E Diel, 5 Janar 2025 12:15
Nga Çun Lajçi
Miku im, dje të tregova për kartolinat me fotografitë e vajzave të Hollivudit, të cilat ua dërgonim nga Zara arbëreshe vajzave pejone, që ishin shumë herë më të bukura se yjet e Hollivudit. Pa ditur asgjë për filmin, pa ditur se ku binte Hollivudi dhe pa ditur adresat e tyre, kartolinat i fusnim në postë dhe ua nisnim Beglerëve e Pashallarëve të Pejës, se kullat e tyre postierët i dinin përmendësh. Dhe kur ktheheshim në Pejë, nuk ngjiteshim n’Rugovë, por gjithë ditën silleshim rreth shatërvanit.
Afroheshim të pinim ujë kur vajzat vinin për të mbushur knatat, dhe i shikonim drejt e në sy, duke shpresuar se ndonjëra prej tyre do të përmendte kartolinat tona. Vajzat largoheshin me knata dhe të tjerat vinin me ibrikë arxhendi e bokalle porcelani, ndërsa ne përsëri turreshim të pinim ujë. Shtyheshim me bërryla, sikur na kishte marrë etja shumë, e me sy ua pinim buzët, faqet dhe qafat e tyre. I shtrëngonim vegët, se barku bëhej si tupan nga uji dhe nuk dinim ku të shkonim për të urinuar, pos në Bistricë!
Njëra, me dimi fije ari, iu afrua shoqes së saj me flokët e lidhura dhe filloi të fliste ngadalë. Fjalët përziheshin me curilat e shatërvanit, dhe ne duhej të shikonim buzët për të kuptuar bisedën e tyre.
– Uh, e mjera, a ke dëgjuar çfarë i ndodhi dje Belkizës?
– Jo!
– Si jo, moj?
Edhe përtej Urës së Gurit u dëgjua piskama e Efendiut!
– Fol, moj, se kam qenë duke qëndisur xherxhefin e gjë s’kam dëgjuar!
Belkizës i kishte ardhur një kartolinë nga një rugovc me një fotografi të një gruaje të zhveshur!
– Uh, turp i Zotit! Fustanin ia kishte çuar era përpjetë dhe i ishin zbuluar vithet. I dukeshin brekët dhe kofshët!
Begu kishte qëlluar në oborr kur erdhi postieri dhe ia dha kartolinën. U bë xeher sapo e pa. Tri herë u soll nëpër oborr duke mos iu besuar syve. E thirri Hanmin duke bërtitur:
– Na ka turpëruar Belkizja! Kuku për ne! Rugovcin dashka ta marrë për burrë! Thirrma vajzën!
Belkizja, e pafajshme, mori shuplaka nga Beg Efendiu.
– Ti të bëhesh nuse në Rugovë? Rugovci të bëhet dhëndri im? – bërtiti dhe i dha një shuplakë!
Këtë nuk ta tregova dje, o mik, se akrepat u puthën mes tyre dhe unë përqafova Galushën time duke i uruar Vitin e Ri, dhe harrova çka kisha ndërmend.
Sot mu kujtua ajo kartolinë me Merilin Monronë, me fustanin e hapur, me kofshët dhe brekët zbuluara, që ia pata dërguar Belkizës nga Zara dhe s’pata shkruar gjë tjetër, pos; –
“Rugovci ka me të marrë për nuse!”
Ah, kartolinat me yjet e filmit dhe pejonet që nuk na deshën ne rugovasve me pantallona leshi dhe plisa mbi vetulla!
05.01.2025