Daci kundër ndryshimeve në kodin penal: Populli është i dënuar mjaft nga koronavirusi, s’ka nevojë të masakrohet me burg
Kuvendi do të mblidhet me 16 prill për miratimin e ndryshimeve të kodin penal, që parashikon 15 vite burg për këdo që thyen karantinën dhe shkakton vdekjen e personit që infekton dhe 5 vite burg bizneseve që thyejnë urdhrat.
Juristi, Jordan Daci, në një intervistë për Rtv Ora thotë se qeveria nuk mund të kepërdorë pandeminë për të krijuar një klimë represioni ndaj njerëzve.
Daci: Situata nuk mund të keqpërdoret për të krijuar një klimë represioni ndaj njerëzve. Në situata të tilla është i rëndësishëm solidarizimni dhe duke qenë sa më afër njerëzve. Nëse rrisim masën e represionit deri në atë masa sa tejkalohet masa normale do të kemi efektin e kundërt të rënies së plotë të ndërgjegjes juridike dhe nuk është çudi që të kemi refuzim masiv të mosrespektimit të ligjit dhe pastaj nuk mendoj se ka mënyrë apo qeveri në botë që ta rivendosë ligjin më.
Daci thotë se në kodin penal nuk ka një dispozitë të veçantë për epidemitë dhe kjo mund të bëhet por gjithmonë në mënyrë profesionale dhe nga profesionistët.
Duke kujtuar se në vendet e zhvilluara kodi penal ndryshon një herë në 20 vjet dhe duhen vite për të bindur për ato ndryshime, ai thotë se kodi penal shqiptar nuk mund të trajtohet si një ligj i rëndomtë dhe çdo deputet, një pjesë e të cilëve nuk dinë të shkruajnë mirë, propozojnë ndryshime që ua servirin të gatshme për nënshkrim.
Daci: Nuk është gabim nëse ne parashikojmë një dispozitë të posaçme për shkeljen e karantinës, vendet e tjera një pjesë e kanë dhe një pjesë nuk e kanë. E rëndësishme është që të bëjmë ndryshime profesionale dhe të mos tejkalohet masa e dënimeve sepse ndërkohë që për vrasjen me dashje të një njeriu dënohesh 10-20 vjet, nuk është aspak e justifikuar ajo çfarë është propozuar në këtë projekt që shkon deri në 15 vjet burg. Italia e ka me gjobë 260 euro ose deri 3 muaj burgim. Nuk mund të tejkalojmë ato çfarë Italia ka vite. Në vendet e zhvilluara si Italia kodi penal ndryshohet një herë në 20 vjet dhe kërkohen disa vite për të diskutuar dhe për të bindur për ato ndryshime.
Nuk mund të trajtohet kodi penal si një ligj i rëndomtë dhe çdo deputet, një pjesë e të cilëve nuk dinë të shkruajnë mirë, propozojnë ndryshime që për mendimin tim nuk janë propozime të tyre por ua japin për ti nënshkruar. Duhet të heqin dorë nga këto praktika të shëmtuara që rrënojnë përfundimisht sistemin e të drejtës në Shqipëri. Më kryesorja është që nuk është zgjidhja dënimi dhe masakrimi i popullësisë. Popullësia tashmë është e “dënuar” nga situata e rëndë në të cilën ndodhet, nga kërcënimi i përhapjes së koronavirusit, nga dëmtimi ekonomik dhe shumë elementë të tjerë duke përfshirë edhe dëmtimin e shëndetit mendor si pasojë një situatë jo të zakonshme me të cilën përballen. Politika e duhur e qeverisjes së vendit duhet të ishte një politike sa më solidare, duke ndarë dhe lehtësuar barrën e njerëzve dhe jo duke u treguar nga mëngjesi deri në darkë vetëm shkopin dhe burgun, por duke qenë afër tyre.
Po ku cënohen të drejtat e njeriut me këto propozime?
Daci: Me akte normative qeveria nuk mund të ndryshojë aktet themelore të shtetit, duke përfshirë edhe cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nga ana tjetër është e pajustifikuar që Kuvendi rri pushim dhe Qeveria zëvendëson Kuvendin çdo ditë. Qeveria zëvendëson Kuvendin vetëm kur ai nuk mund të mblidhet. Kuvendi dhe ai deputeti që merr tërë ato milionë lekë rrogë dhe ka marrë mandatin ka marrë përsipër dhe rrezikun, ata dhe në kohë lufte mblidhen jo më në kohë epidemie që nuk është kohë lufte dhe nuk jemi në luftë. Kjo është shkelje tjetër sepse është cënuar parimi i ndarjes së pushteteve. Nga ana tjetër dënimet kur jepen pa ligj, me akte normative, cënojnë të drejtën për tu dënuar pa ligj.
Gjithë kjo periudhë është shoqëruar me abuzime dhe tejkalime të pushtetit në mënyrë të frikshme që herët a vonë do të duhet të bëhet një vlerësim dhe njerëzit që kanë shkaktuar këto shkelje të japin llogari para gjykatave. Një ndër shkeljet e tjera është kalimi me procedurë të përshpejtuar që nuk bëhet në asnjë lloj rrethane. Propozuesit përveçse shkelin haptazi Kushtetutën sepse praktikisht parashikojnë dy dënime për të njëjtën vepër, edhe gjobën edhe burgun, nga ana tjetër parashikojnë edhe çmendurira të tipit “nëse provohet”, pra dënojnë dyshimin. Një ndër parimet e të drejtës penale është që mendimi kriminal nuk dënohet dhe pa u provuar dyshimi përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Në rastin konkret njerëzit do të dënoheshion me dyshime, do të ishte e pamundur për gjykatën të vërtetohej fajësia në disa raste për të cilat parashtruar këto ndryshime.
Ankimimi në këto kushte për aktin normativ duket i pamundur, pasi nuk kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese.
Daci: Jemi pa asnjë lloj mbrojtje, nuk ka gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale. Edhe gjykatat e tjera ja kanë futur gjumë si pasojë e një vendimi të KLGJ. Nuk mund të ankohesh asgjëkundi sot, jemi në mëshirën e ekzekutivit që ka provuar se nuk ka pikë mëshire për këta njerëzit dhe vendin e vet.Po të kishim Gjykatë Kushtetuese, gjëja e parë që do të ndodhte do të ishte kërkesa për të pezulluar zbatimin dhe Gjykata do të mblidhej me emergjencë si u mblodh në Kosovë dhe për dy ditë dha vendimin për kërkesën e Presidentit. Me këto që po ndodhin kam frikë se nuk do ta kemi as vitin tjetër.
Për të enjten Daci nuk parashikon asnjë surprizë edhe pse miratimi i ndryshimeve kërkon 84 vota.
Daci: Kemi një Kuvend që nuk ushtron fare kontroll, është i gatshëm të ngrejë dy duart për ta miratuar. Do ta shohim dhe të enjten që do të kalojnë të gjitha çfarë janë miratuar deri më tani. Si qytetarë nuk kemi asnjë lloj garancie që ligjvënësi i qëndron besnik Kushtetutës së Shqipërisë.
I pyetur ekziston një rrezik real që qeveria ta kthejë në normë këtë mënyrë të proceduari, ai ka këtë koment.
Daci: Kjo është një modë e përditshshme. Një akt normativ është akt administrativ dhe jo akt ligjor. Ka fuqinë e ligjit por nuk është ligj.
Si avokat ai foli edhe pezullimin e gjyqeve.
Daci: Gjykatat ishin gjysmë të paralizuara tashmë janë të vdekura si pasojë e vendimeve të KLGJ për mbyllje. Ka ana e drejtiorisë së burgjeve nuk është e bërë e mundur që në dispozicion të personave që u është hequr liria të bëhet lidhja në distancë. Vendimi për mbylljen e gjykatave është i gabuar se i shkon për shtat krijimit të klimës së krijuar nga ekzekutivi. Duhet se s’bën që gjykatat të fillojnë të hapen. Kam propozuar disa masa konkrete që mund të ishin zgjidhje për situatën aktuale. Një pjesë e proceseve me vlera të vogla të zhvillohen pa praninë e palëve me konsensusin e tyre. Ti hapë rrugë komunikimit elektronik të gjykatës dhe palëve. Vendimet të lëshohen në mënyrë elektronike. Edhe zhvillimin e seancave në distancë, me videokonferencë. Një pjesë e anëtarëve të KLGJ janë rezistentë për të mos zbatuar këto alternativa, pasi nuk dinë të përdorim emailin mirë. Ndërkohë që vazhdojnë të marrin rrogat.