Daja i Evës dhe Endritit që kanë mbetur në Siri: Kërkojmë të rikthehen, motrën nuk e gjen e nesërmja
Xhetan Ndregjoni, daja i Evës 14-vjeçe dhe Endrit 12-vjeç, të cilët ndodhen prej rreth 7 vitesh në zonën e luftës në Siri, kërkon ndihmë nga shteti që ata të kthehen në familje. Me lot në sy, daja tregoi se shteti ka 6 vite që iu thotë se po punohet për këtë çështje por deri më tani nuk është bërë asgjë.
Ndregjoni kërkon sensibilizim shoqëror dhe mediatik për rikthimin e fëmijëve në atdhe, teksa mes lotësh tregon se nuk i ka mbetur asnjë rrugë për të provuar tjetër. Ai tregoi më tej se edhe motra e tij nuk po e përballon këtë situatë, pasi ka 7 vite pa parë fëmijët.
”Nuk kemi lënë njeri pa telefonuar, deri te këshilltari i kryeministrit për antiterrorin, nuk kemi lënë njeri, i kemi shkruajtur kryeministrit, na ka thënë po merremi, po merremi, dhe asgjë nuk është bërë. Ata fëmijë mund të jenë subjekt i çdo gjëje të keqe. Ata fëmijë i ka rrëmbyer babai i vetë, gënjeu motrën time dhe shkoi drejt Sirisë. Pas vdekjes së Mentijes kam komunikuar vetëm një ditë me fëmijët, vajza më lajmëroi për vdekjen e gjyshërve. Më kanë thënë se kthimi i fëmijëve mund të bëhet vetëm përmes shtetit shqiptar, nuk na jepen dot ne si familjarë, nuk mund të bëjmë asgjë. Sa ishte Mentija gjallë kishim një llojë shprese, tashmë thirrja jonë është vetëm prej shtetit, koha nuk pret më, nuk kam fjalë tjetër. Ata fëmijë tani mund të jenë objekt i çdo të keqe, nuk dimë se çfarë ndodh me ta”, u shpreh daja i dy fëmijëve Dumani për Fax News.
Dy fëmijët u larguan 7 vite më parë drejt Sirisë, bashkë me babain Shkëlzen Dumani. Ai vdiq gjatë luftimeve të grupit islamik. Atje mbërriti edhe e ëma e tij, Mentije Dumani për ta bindur që ai të kthehej, por nuk mundi. Kjo e fundit vdiq në Siri pak ditë më parë, në moshën 73-vjeçare.