”Daja” i kërkon KAS: Mos njih dorëheqjet e listës së mbyllur nga mandati i deputetit
Edhe pse KQZ e vulosi kush e merr të vetmin mandat që u fitua në zgjedhjet e 11 Majit, Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili ishte renditur i nënti në listën e mbyllur të kolicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë, i ka kërkuar Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), shpalljen të pavlefshme të deklaratave të dorëheqjes të dhëna nga kandidatët në listën e sigurt.
Ndonëse KQZ i dha mandatin Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt, tani Zeqiri thotë se duhet të shpallen të pavlefshme dorëheqjet nga mandati, me arsyetimin e bazuar në nënin 164 të Kodit Zgjedhor, se “një dorëheqje nga mandati është e vlefshme vetëm pasi kandidati e ka fituar dhe marrë zyrtarisht mandatin. Dorëheqjet e dhëna paraprakisht (pra përpara shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe marrjes së mandatit) nuk gëzojnë asnjë bazë ligjore dhe bien ndesh me parimet themelore të së drejtës zgjedhore.”
Gjithashtu, Zeqiri pretendon se ka patur parregullsi në dorëheqjet e dhëna nga mandati, duke vënë në dyshim vërtetësinë e tyre. ”A kanë qenë të gjithë nënshkruesit fizikisht të pranishëm në datën që pretendohet se janë nënshkruar deklaratat? A janë nënshkruar këto deklarata në mënyrë të lirë dhe pa ushtruar dhunë apo presion psikologjik? A janë përgatitur dhe nënshkruar këto deklarata sipas formës dhe procedurave ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor? Në dijeninë time, të paktën një prej kandidateve, Entela Sula, që pretendohet se ka firmosur një deklaratë dorëheqjeje në datën 11 Maj, nuk ka qenë fizikisht në territorin e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu dyshime ka edhe për kandidate të tjerë, të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë qenë në Shqipëri në datën që pretendohet se kanë firmosur dorëheqjen. Kjo gjë ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e këtyre akteve”,-shkruan Zeqiri në letrën drejtuar KAS dhe KQZ.
Zeqir Kordhoni po bën çmos që mandati të mos mbetet në llogoren e Lapajt, pasi ky i fundit e quajti Kleana Xhuvelin si “gardiane” të ulëses në parlament, derisa mandati të kalojë të lista e hapur, ku kreu i “Shqipëria Bëhet” kryeson si më i votuari.
KOHA JONË SONDAZH

