Dakordësia e Këshillit Politik për ligjet që adresojnë krimin zgjedhor

Me marrëveshjen e 5 qershorit, politika nuk i dha drejtim vetëm ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por edhe përtej. A2 ka siguruar amendamentet e tjera që do të prekin edhe disa ligje të tjera, madje dhe organike, në funksion të zgjedhjeve. Në propozimet e bëra për ndryshime në Kodin Penal, është vendosur një nen i veçantë që përjashton nga dënimi për krim zgjedhor personin që e ka kryer këtë vepër, në rastin se bashkëpunon me drejtësinë për hetimin, si dhe për zbulimin e personave të tjerë.

Opozita jashtëparlamentare nuk mori dot kryepolicin por dakortësia e dhënë në Këshillin Politik prek edhe ligjin për Policinë e Shtetit. Sipas ndryshimeve të propozuara, “policia zbaton detyrat në shërbim të administrimit të qetë dhe të rregullt të proceseve zgjedhore ose te referendumeve, bashkëpunon me administratën zgjedhore dhe raporton për veprimtarinë e strukturave të policisë në zgjedhje ose në referendume”.

Në ligjin për sinjalizuesit do të ketë vend edhe për proceset zgjedhore. Sinjalizimi tashmë do të bëhet duke përfshirë edhe korrupsionin aktiv dhe/ose pasiv në zgjedhje. Për të mundësuar këtë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve krijohet dhe funksionon njësia përgjegjëse për marrjen e sinjalizimeve dhe trajtimin e tyre. “Sinjalizimi mund të paraqitet drejtpërdrejt në KQZ ose në Njësinë e Administrimit Zgjedhor. Në rast se konstaton shkelje administrative vendos sanksione sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj. Për shkelje të ligjit penal paraqet kallëzimin përkatës në prokurori.”

Gjyqtarët e prokurorët do të kenë rol aktiv në proceset zgjedhore kur vjen fjala te ndëshkimi i krimit zgjedhor. Sipas amendamenteve të dakortësuara, dosjet e hetimit ose, sipas rastit, të gjykimit për krimet që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve që Kodi Penal parashikon në minimum dënimin me jo më pak se një vit burg, duke përfshirë, për dosjet gjyqësore, edhe regjistrimet e seancave me mjete audio ose video, të cilat janë hetuar ose gjykuar nga magjistrati.

Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, do të duhet t’u përgjigjen kërkesave të KQZ-së për informacion jo më vonë se 15 ditë nga data e kërkesës. Këto amendamente kanë kaluar testin e parë, atë të dakortësimit në Këshillin Politik, ndërsa testi final do të jetë në seancat e mbetura të këtij sesioni parlamentar, ku do të duhet edhe vota e opozitarëve në Parlament.

SHKARKO APP