Dalin pamjet, terrorizoi me kallashnikov qytetin, si u neutralizua 57-vjeçari (Video)

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga aksioni i policisë për të neutralizuar 57-vjeçarin H. Hoxha në Çorovodë i cili qëlloi me armë zjarri në ajër dhe në drejtim të uniformave blu.

Në momentin e mbërritjes së Forcave speciale Renea ai kishte fshehur armën tip kallashnikov poshtë krevatit të tij, ndërkohë që u bind të dorëzohej vetëm pas 4 orësh.

Deklarata e Policisë

Ndërhyrja e Reneas vë në pranga personin që qëlloi me armë në ajër dhe më pas Policinë.

Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak.

Rreth orës 01:00 të datës 29.04.2020, forcat speciale “Renea” kanë vënë në pranga shtetasin H. H., 57 vjeç, banues në lagjen ”5 Shtatori”, Skrapar.

Ky shtetas, në orët e mbrëmjes së djeshme, në katin e parë të një pallati, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas kur ka parë shërbimet e Policisë ka qëlluar edhe në drejtim të tyre. Më vonë, ky shtetas u fut në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar.

Shërbimet e Policisë morën masa sigurie dhe rrethuan pallatin. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe më pas forcat speciale “Renea”.

Pas ndërhyrjes së forcave speciale “Renea” u bë e mundur vënia në pranga e 57-vjeçarit dhe u sekuestrua edhe arma kallashnikov, bashkë me një sasi municioni. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP