Dalin shifrat e para të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, Hysenlliu: Rreth 3000 banesa dëme të rënda

I ftuar në studion e ABC News me gazetarin Endri Xhafo ishte i ftuar Drejtori i Institutit të ndërtimit, Agron Hysenlliu. Hysenlliu sqaroi se si janë kryer akt-konstatimet e dëmeve në banesa pas tërmetit të 26 nëntorit.

Gjithashtu Hysenlliu tha se deri më tani nga akt-konstatimet e kryera në terren janë përcaktuar se kanë marrë dëmtime të rënda rreth 3000 banesa, ndërsa janë kryer në total 300 mijë konstatime në gjithë qytetet.

Hysenlliu theksoi se janë 509 inxhinierë vullnetarë që kryejnë akt-konstatimet në terren të cilët përcaktojnë shkallën e dëmeve që janë shkaktuar nga tërmeti.

Me rëndësi ishte fakti se Drejtori i Institutit të Ndërtimit tha se në Shqipëri ekzistojnë laboratorët që kryejnë akt-ekspertimet e thelluara ndërsa theksoi se vete Instituti i Ndërtimit e ka një laborator të tillë dhe janë kryer disa akt-ekspertiza të thelluara.

Pjesë nga biseda në studio me Endri Xhafon:

Endri Xhafo: Është shumë e rëndësishme të dimë, ashtu sikurse është zotuar dhe Kryeministri që në fund të Dhjetorit do të kishim një bilanc paraprak për dëmet nga tërmeti kurse në fund të Janarit do të kishim një bilanc total të dëmeve për të krijuar një ide të kostos më pas. Ju nga puna në terren e dini se sa është bilanci ?

Agron Hysenlliu: Nuk jam në gjendje të shprehem se sa do jenë paratë  por jam në gjendje të shprehem në lidhje me detyrën që kam për punën në terren që nga dita e parë që ka rënë tërmeti dhe po bëjmë akt-konstatimet përkatëse për të gjitha objektet, nëse duhet të qëndrojnë njerëzit brenda apo jo në këto banesa. Në konceptin tonë si inxhinierë ka dy faza; Faza e parë është aktkonstatimi, në të cilën ne kemi për detyrë që të nxjerrim njerëzit, dhe faza e dytë është aktekspertiza për ndërtesat e cila do të përcaktojë gjendjen e objekteve dhe se cila nga ndërtesat mund të riparohen apo ato që duhet të demolohen.

Endri Xhafo: Në metodikën tuaj të punës, çfarë ju pengon që të kemi një ide të qartë të dëmeve?

Agron Hysenlliu:Në fazën e parë nuk mund të realizojmë se sa janë dëmet dhe se si janë. Ka një metodikë puna, sepse të dy fazat janë të caktuara nga organizatat botërore, se di duhet të veprohet. Ne kemi vepruar mbi bazën e udhëzimeve të dhëna nga këto organizata. Të dyja fazat janë të përcaktuara në eurokodet se si veprohet në rastin e një tërmeti dhe si duhet të kryhen këto akt-konstatime dhe akt-ekspertizat.

Endri Xhafo: Kur mbaron faza e parë?

Agron Hysenlliu:Faza e parë do të përfundojë në 28 dhjetor. Në terren ne do të përcaktojmë të gjithë akt-konstatimet. Instituti i ndërtimit kishte eksperiencë që nga tërmeti i Korçës për të cilën u bënë akt-konstatimet dhe preventivat përkatëse për dëmet. Njëkohësisht edhe në datën 21 shtator, në tërmetin e parë ku jemi marrë me dëmet në zonën e Vorës dhe Tiranës.

Endri Xhafo: Nga çfarë shihni, cila është detyra që bëni ju si institut i krijuar në vitin 2004, si ndahet puna mes jush dhe pushtetit vendor?

Agron Hysenlliu:Do ishte e pamundur që një institucion prej 56 veta të përballohet fluksi i punës që ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit. Brenda institutit të ndërtimit janë angazhuar shumë inxhinierë të tjerë shqiptarë për të kryer akt-konstatimet e duhura.

Endri Xhafo: Kush ka tagrin ligjor që të thotë se godina është e banueshme ose jo?

Agron Hysenlliu:Dua të sqaroj diçka, gjendja e moskuptimit se çfarë është akti i kontatimit dhe akti i ekspertizës. Akti i konstatimit ka të bëjë me vlerësimin paraprak dhe i nxjerr njerëzit jashtë banesave, nëse shihen plasaritje të rënda, çarje etj, pra është vlerësimi i parë. Akt-Konstatimi është më tepër vizual. Ndërsa akti i ekspertizës kërkon të merren gjithë provat laboratorike, të ngrihet modeli i objektit, të modelohet objekti dhe ti jepen tonalitetet e duhura për tërmetet që llogariten në projekt dhe shihet se sa mban objekti, kjo kërkon kosto financiare dhe kohë.

Endri Xhafo: Kush e paguan këtë kosto?

Agron Hysenlliu: Shteti..

Endri Xhafo: Ekspertë të tjerë na kanë thënë që nuk kemi laboratorë për të kryer ekspertiza të thelluara, është e saktë kjo?

Agron Hysenlliu:Jo nuk është e vërtetë. Unë kam kryer ekspertiza të tilla. Edhe instituti i ndërtimit vetë ka kryer akt-ekspertiza të tilla.  Instituti i ndërtimit është ngritur e anë të VKM por me vetëfinancim. Instituti i ndërtimit ka një laborator të saj. Aty kryen testet e forcës, të tullave, betonit etj. Janë rreth 42 laboratorë në treg. Mënyra si funksionon instituti i ndërtimit është shtetëror dhe ka çmime të tjera.  Kam kryer 300 akt-ekspertiza vetëm në Tiranë për objektet e vjetra që kanë qenë në Tiranë. Kemi nxjerrë aktet e ekspertimit se cilat nga këto banesa është për rindërtim dhe cilat janë për demolim përpara se të ndodhte tërmeti i 26 nëntorit. Për vitin 2016-2017-2018 kemi kryer rreth 300 akt-ekspertime. Tani pas tërmetit të 26 nëntorit, nuk kemi hyrë ende në fazën e akt ekspertizë sepse nuk ka mbaruar ende akt konstatimi.

Endri Xhafo: Çfarë ndodh me qytetarët që u kanë vajtur 2 konstatime të ndryshme, 2 fletë të ndryshme për sa i përket akt konstatimit?

Agron Hysenlliu:Unë do ta sjell me një shembull. Këta që bëjnë akt-konstatimet bëjnë pathollogjinë pastaj shkohet te specialisti. Ata që bëjnë akt-konstatimet bëjnë pathollogjinë më pas kalohet në ekspertizë.

Endri Xhafo: Ky lloj alarmizmi ka ardhur për shkak të frikës, sepse në terren u ofruan shumë vullnetarë, shumë të rinj, ndoshta pa eksperiencën e nevojshme?

Agron Hysenlliu:Kam besim të madh te të rinjtë. Alarmizmi ndodh nga mosnjohja e pjesës ndërtimore. Është hera e parë pas 60 vjetësh që ndodh diçka e tillë, dhe është hera e parë që bëhen akt-konstatimet në këto 20 ditë. Nga mosnjohja nga e gjithë popullata për ndërtimet. Duhet të kemi parasysh diçka, aktekspertiza ka kosto dhe kohë prandaj kryhet akt-konstatimi.

Endri Xhafo: Kush ka tagrin ligjor të vendosë firmën në një akt konstatim?

Agron Hysenlliu:Te të gjithë akt-konstatimet firma ime është tek të gjitha, është si institucion. Të gjitha ata që janë në terren kanë njohuritë e duhura për të bërë një akt-konstatim. Akti-konstatimit është niveli më i ulët për sa i përket inxhinierisë së ndërtimit. Pas kësaj faze, këta njerëz nuk i japin dot përgjigje akt-ekspertizës por është grupi i profesorëve që e bëjnë këtë.

Endri Xhafo: Një godinë që ka patur krisje, mjafton një inxhinier i licencuar që të vendosë për akt-konstatimin?

Agron Hysenlliu:Janë 5 klasifikime të dëmeve. Kemi 5 kategori klasifikimi, kategorinë Ds1, Ds2, Ds3, që janë dëmtime minore, pra që ndërtesat riparohen.  Ndërsa është edhe kategoria e Ds4, Ds5 e klasifikimit,  që do të thotë se dëmet janë të rënda dhe kërkojnë akt-ekspertizë. Gjithashtu akt-ekspertiza ka 2 faza; Është faza e parë kur shkon grupi i profesorëve, pra persona të licencuar dhe me eksperiencë, të cilët vendosin nëse në do të thellojnë akt-ekspertizën për dëmtimet që ka marrë një godinë. Akt-ekspertiza e thelluar siç kërkohet, vjen pas akt-konstatimit. Akt-konstatimi vendos nëse do të hyhet në akt-ekspertizë të thelluar, kur ka dyshime hyhet në akt-ekspertizë. Konstatimin e bëjnë inxhinierët. Në çdo shkresë është firma ime, këta janë vullnetarë të institutit të ndërtimit dhe mund të jenë rreth 509 inxhinierë vullnetarë. Këta inxhinierë janë në ndihmë të institutit të ndërtimit. Këtu bëjnë pjesë, arkitektë, inxhinierë hidrolog, inxhinierë strukturor, gjeologë etj. të cilët kanë në formimin e tyre të përgjithshëm për të bërë një akt-konstatim.

Endri Xhafo: Në Thumanë 2 pallatet e pabanueshëm, ju si institucion keni patur të bëni në ekspertizën e parë pas tërmetit të 21 shtatori?

Agron Hysenlliu: Jo, nuk kemi qenë sepse ne aktivizohemi me anë të një kontrate që mund të lidhet me të tretë. Ndërkohë tani jemi aktivizuar për shkak të situatës së emergjencës civile. Përgjegjësia në të gjitha raste e tilla është e pushtetit vendor. Ne si institucion e kemi bërë detyrën, ne informimin e saktë e kemi dhënë por ne nuk marrim vendim, ne japim rekomandim më pas ata marrin vendim. Psh, ne ju tregojmë një rast konkret në Berat, ku kemi bërë akt-ekspertizën e një banese atje, dhe kemi i rekomanduar Bashkisë së Beratit se ajo godinë ka probleme, dhe bashkia nuk e ka marrë parasysh rekomandimin tonë.

Endri Xhafo: Ju në fund të muajit do të bëni mbylljen e fazës së parë që është aktkonstatimi. Janë 509 persona, a keni të dhëna nga aktkonstatimet?

Agron Hysenlliu: Janë kryer rreth 300 mijë aktkonstatime në të gjithë rrethet. Nga këto 2983 kanë dalë me Ds4 dhe Ds5. Pra kalojnë në fazën që duhet bërë akt-ekspertiza. Ndërsa këto që janë me Ds1 dhe ds2 duhet të fillohet puna për ti riparuar. Ndërkohë ende vazhdon puna për aktkonstatimet./abcnews.al

SHKARKO APP