Dashamir Shehi për Territorialen: Një marrëzi e bërë për efekte elektorale
Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet diskutimi për reformën e re territoriale, duke e konsideruar atë më shumë si një nismë me qëllime elektorale sesa si një proces që kërkon konsensus të gjerë politik. Ai tha se mungesa e një marrëveshjeje mes palëve politike rrezikon që reforma të mos ketë qëndrueshmëri afatgjatë.
Sipas tij, vendimmarrja për një çështje kaq të rëndësishme nuk duhet të bëhet vetëm përmes shumicës parlamentare, pasi ndryshimi i qeverisë mund të sjellë edhe rikthimin e diskutimeve për hartën territoriale. “Elektorale, elektorale, absolutisht elektorale. Në këtë marrëzi që e kap që çdo gjë vendos ky, thotë ‘e bëj’. Ore, pse e voton me një deputet sa i bën 83? Pastaj të mungon fryma, të mungon shpirti i marrëveshjes”, deklaroi Shehi.
Kreu i LZHK-së ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si do të funksionojë reforma nëse në pushtet vjen një forcë tjetër politike. “Këto bashki nesër do administrohen minimalisht një e treta nga pala opozitare. Këto bashki, në qoftë se ndryshon qeveria, çfarë do t’u bëjmë? Do t’u rikthehemi prapë edhe nga e para një reforme tjetër”, u shpreh ai.
Shehi paralajmëroi se mungesa e konsensusit mund të krijojë një precedent ku çdo qeveri e re tenton ta ndryshojë organizimin territorial sipas interesave të saj politike. “Me këtë frymë që ka ndërtuar ky, i bie që qeveria tjetër që të vijë të thotë: ‘Tashi e morëm ne, e bëjmë ne si të duam’. I ka mundur katër të tjera, thotë ai tjetri. Domethënë, kjo nuk është logjikë as politike, as shtetformuese”, përfundoi Shehi.

