Dasho: Vdekjet po fshihen, jemi i vetmi vend me tendenca ngritëse lidhur me rastet Covid
Në një intervistë për RTV Ora, mjeku Erion Dasho u shpreh se nëse do të rriteshin testimet, numri i të infektuarve ditorë do të ishte disa fish më shumë nga raportimet.
Sipas Dashos, referuar shifrave të vdekjeve, ato manipulohen, pasi sipas të dhënave që publikon INSTAT dhe ato që publikon ministria e Shëndetësia ka një mospërputhje.
Dasho: Ato 1000 raste që kemi sot, nëse do të testohej më shumë do të ishin disa fish më tepër dhe janë disa fish më tepër. Sa i takon shifrave të vdekjeve, është provuar tashmë se manipulohen. Unë shoh të dhënat e vdekjeve që publikon INSTAT dhe ato që publikon ministria e Shëndetësia dhe ka një mospërputhje. Këtu vihet re një nënraportim dhe nuk mund të them se ëhstë e qëllimshme apo jo. Ajo që është e paqëllimshme, është fakti se nuk testohet dhe si rrjedhojë nuk mund të gjurmosh dhe të trajtosh. Kjo mund të jetë e paqëllimshme lidhur me vdekjet, por të gjitha indiciet janë që duhet testim disa fish më shumë.
Gjatë gjithë kohës qeverisë i janë dhënë argumente që duhet të testonte, të gjurmonte, të përmirësonte trajnimin, të trajnonte personelin dhe të kishte masa të bazuara jo mbi kapriço. Këtu thuhet se jemi në rregull se kemi numrin më të ulët të vdekjeve, për të ashtuquajturin sukses të qeverisë në pandemi. Është provuar se kjo qeveri ka mashtruar botërisht për numrin e rasteve dhe vdekjeve, dhe rezulton se është ndër qeveritë më të dështuara në Evropë për menaxhimin e pandemisë. Edhe ata që manipulojnë janë të ndërgjegjshëm se manipulohet me vdekjet, sepse janë së paku dyfish më shumë raste.
Dasho shtoi se jemi vendi me incidencën më të lartë në Evropë, edhe me këto shifra dhe i vetmi me tendenca ngritëse, kur gjithë vendet e tjera e kanë ulëse.
Dasho: Duke manipuluar numrin e rasteve të infektuarave dhe atë të vdekjeve, ti i bën një dëm shumë të madh qytetarëve, sepse i thua se je shumë mirë, dhe ky është një mesazh se nuk kemi pse t’i mbajmë masat që kemi, sepse qeveria thotë se jemi mirë. Kjo është ajo që unë kam kritikuar gjatë gjithë kohës. Ne jemi vendi me incidencën më të lartë në Evropë, edhe me këto shifra. Jemi i vetmi vend me tendenca ngritëse, kur gjithë vendet e tjera e kanë ulëse. Këtu nuk janë trajnuar mjekët e familjes dhe mjekët në spitalet rajonale. Mjeku i familjes u fut në nëntor në lojë me një protokoll të gabuar.