Dashuria tragjike e fisniku londinez, Oscar Wilde me Lord Alfred Douglas
Albert Vataj
Oscar Wilde dhe Lord Alfred Douglas, një dashuri që do të kushtonte shumë shtrenjtë, një afri ndjenjash që do të lëkundte nga themelet epokën puritane të shtirjes, duke lënë të shastisur gjykatorët e një morali fals që zvargej në epokën viktoriane ku të merrej fryma nga lështia e ndryshjes dhe pezmit dhe kudërbonte era myk.
Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. Qiellgërvishtësit e tij të lirisë, edhe sot, çajnë retë e konformizmit dhe fanatizmit. Predikoi vetveten dhe personazhet me shenjtërimin. Promovoi doktrinën e artit-njeri. Thundra e rëndë e anatemës e vu përfundi shpirtin që “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”. Buja e zëshme e gjithçkasë e veshi me famë dhe lavdi, por nuk u kursye ta çirrte përditë e më ethshëm portretin e parakohshëm që formësoi.
Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkasë të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozit, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi.
Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm nga çdo qasje fillimore për ta përcaktuar, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës. Si në të përditshmen e ngasuar nga një jetë e shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar.
Edhe në çastet më kritike të jetës, që mbeten në ndërkohjen e strukët të agonisë, Oscar Wilde u tret duke ndritur, si një kandil, dritë e cila udhërrëfen atëmot, tash e përgjithmonë, atë galeri shpirtrash eternë. Sa më shumë që atij iu ndërsyen, aq më thellë ai u injektua në gjakun e kohës, aq më shenjtëruese do të mbeteshin në shkulmet e zjarmta të pasionit. Gjithçka që ai la në art, është pjesë e reflektimit, sjelljes dhe mëtimeve që kumtoi epokës. Copëzat e mozaikut gjithnjë duhet kundruar si bashkësi, sepse vetëm ashtu formësimi i një universi të shumëformësh do të konturohet dhe magjia e gjenialitetit do të mrekullojë ngamot.