Daut Elezi, intelektuali i pushkatuar në diktaturë, ende pa varr
Kanë kaluar 76 vjet nga pushkatimi, por familja e Daut Elezit, pavarësisht përpjekjeve, ende nuk i ka gjetur eshtrat e tij. Suzana, më e vogla e fëmijëve, që nuk ishte as një vjeçe kur të atin e arrestuan, tregon për kujto.al brengat që kanë shoqëruar familjen e tyre gjithë jetën
Daut Elezi ishte një nga ata intelektualët e rinj shqiptarë të viteve ’30, të arsimuar në Perëndim, që iu ndërpre jeta mizorisht me vendosjen e regjimit komunist. Ai punoi në administratën shtetërore para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ta mbyllur këtë karrierë në Gjilan. Për të dihet shumë pak sot. Edhe pasardhësit janë duke e zbuluar figurën e tij copëz pas copëze, me shumë përpjekje. Sepse për mbi 40 vjet nuk mund të flisnin dhe në më shumë se 30 vitet e pluralizmit, ata që kanë të vërtetat e fshehura flasin pak ose aspak.
Daut Elezi u kthye në Shqipëri në fund të luftës, me idenë se nuk kishte përse të kishte frikë, kur nuk kishte bërë asgjë të keqe, por komunistët e arrestuan në vitin 1947 dhe disa muaj më vonë, e dënuan me pushkatim. Sipas një dokumenti që familja ka tërhequr pranë Arkivit të Ministrisë së Rendit Publik më 2004, ai akuzohej se “gjatë kohës së okupacionit ka propaganduar dhe agjituar në favor të okupatorit dhe të organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar” apo se “mbas Çlirimit të Shqipërisë ka agjituar kundër reformave të pushtetit, ka rënë në lidhje me të arratisurit dhe i ka furnizuar me sende të nevojshme…”.
Familja nuk e pa më që nga dita kur erdhën ta arrestonin në shtëpi dhe nuk e mësoi se çfarë ndodhi me të. Edhe sot, kanë dyshime në është ekzekutuar pas vendimit të gjyqit apo që më parë. Pesë fëmijë nga dy martesa, bashkëshortja në mes të 20-ave, vëllai që kishte lënë Normalen e Elbasanit dhe i ishte bashkuar luftës nacionalçlirimtare, e motra që veshi rrobat e zeza që në fillim të të 30-ave e nuk i hoqi më, jetuan me brengën për njeriun e dashur të humbur përgjithmonë. Kanë mbetur edhe në kujtesën e më të vegjëlve, fjalët e të vëllait të Dautit, Sulejmanit: “Përderisa nuk po i gjenden eshtrat vëllait tim, unë dua që kur të vdes, të ma hidhni trupin në det, të më hanë peshqit. Nuk dua që të varrosem në këtë tokë, ku s’qeshë i zoti të gjeja eshtrat e vëllait tim”. Një brengë që vazhdon edhe sot, edhe për brezat më të rinj të familjes dhe që krijon indinjatë në rrethanat kur, pavarësisht përpjekjeve, përballen me apatinë e institucioneve për t’iu kthyer çfarë mundet, nga e pakthyeshmja: njohjen e figurës së Daut Elezit dhe mbi të gjitha, eshtrat e tij.
“Ka qenë kriminel për këta, po e pranojmë. Unë s’e kam kriminel, e kam baba. Unë dua eshtrat, ku i ka”, thotë për kujto.al Suzana Dervishi Elezi, vajza e vogël e Daut Elezit, e cila nuk mundi ta njihte të atin sepse nuk ishte as 1 vjeçe kur atë e arrestuan.
Nëpërmjet kësaj interviste, që do të botohet në dy pjesë, kujto.al tenton të përcjellë, përmes rrëfimit të Suzana Dervishi Elezit, thirrjen e pashuajtshme të familjes për gjetjen e eshtrave të Daut Elezit dhe dramën që përfshiu tre breza për shkak të pushkatimit të intelektualit që regjimi komunist e shpalli kriminel lufte.
Kush ishte Daut Elezi?
Me thënë të drejtën, është folur shumë pak. S’kishin besim që të flisnin sepse mund të flisnim jashtë, të na provokonin, kështu që tek-tuk, kemi marrë vesh. As që e kemi ditur se babai im paska qenë avokat. E kanë pranuar tërë këto institucionet tani. Avokat ka qenë ai se s’ka pranuar avokat mbrojtës në gjyq. “Jam në gjendje të mbroj vetë veten”, -ka thënë. Babai ka lindur në Peqin. Ka mbaruar shkollën. Flitet për vitet e hershme. Pastaj ka shkuar në Normalen e Elbasanit. Ka punuar pak kohë, ka qenë në gjendjen civile. Në administratë ka punuar gjithë kohën. Pastaj, ka shkuar në Itali për studime. Është kthyer…Ka qenë kryetar Bashkie. Ka qenë një herë në Libofshë të Fierit, në Buz të Tepelenës, në Elbasan, përgjegjës i zyrës së gjendjes civile të zonës se ka qenë zonë e madhe. Pastaj ka shkuar në Rahovec. Nga Rahoveci, ka shkuar në Gjilan. Në Gjilan, ka ndenjur më shumë. Ka ndenjur rreth 3 vjet më duket.
Bashkia e Gjilanit e ka nderuar me certifikatë mirënjohje post mortum në vitin 2019
Italia kishte arrestuar 300 burra kosovarë, shqiptarë, futur në një shkollë a në një magazinë. Dhe kapitulloi Italia fashiste, po hynte gjermani. Edhe gjermani do t’i çonte në kampet e përqendrimit, siç ishin të egërsuar ata. Babai dha urdhër që të hapen burgjet dhe ka shpëtuar 300 burra. Edhe ajo certifikata që ka marrë nga Lutfi Haziri është në sajë të atyre 300 burrave që ka shpëtuar. Edhe për ndihmesën që ka dhënë për shkollat shqipe atje. Ka pasur edhe shumë fotografi që ka bërë inaugurime rrugësh. Kanë bërë rrugë të vogla brenda qytetit, si duket.
Të plotë materialin e gjeni te linku i poshtëshënuar
Intervista/ Daut Elezi, intelektuali i pushkatuar në diktaturë, ende pa varr