David Wisner nuk fal, kush prek SPAK-un, prek zjarrin!
SHBA nuk ka akoma ambasador de jure në Shqipëri. Kandidati për ambasador për në Tiranë, Kostelancik nuk u miratua në vitin 2023.
Emërimi i diplomatit David J. Kostelancik për postin e Ambasadorit amerikan në Shqipëri, është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pasi Senati gjatë sesionit që u mbyll në fund të vitit të kaluar nuk futi në rend dite brenda afateve, votimin për konfirmimin e zotit Kostelancik dhe të dhjetra të emëruarve të tjerë. Emërimet e diplomatëve janë bllokuar nga disa senatorë republikanë.
Kandidatura e zotit Kostelancik u kthye në Shtëpinë e Bardhë, në bazë të një klauzole të rregullave të Senatit sipas së cilës “emërimet që as nuk janë konfirmuar, as nuk janë hedhur poshtë nga Senati në kohën kur mbyllet sesioni legjislativ”, i kthehen Presidentit.
“Nëse një emërim i kthehet Presidentit, ai nuk mund të shqyrtohet më nga Senati. Presidenti mund të paraqesë një emërim të ri për të njëjtin kandidat, ose për një kandidat të ri”, – thuhet në rregullat e Senatit. Nuk dihet ende se si dhe kur do të veprojë Shtëpia e Bardhë lidhur me emërimet e kandidaturave të rikthyera. Presidenti mund të ridërgojë të njejtat emra, ose mund t’i zëvendësojë ata.
Ndërkohë ambasada nuk krijoi asnjë vakum, sepse DASH nisi një diplomat të mirëfilltë karriere, David Wisner.
Ai filloi detyrën e tij si Zëvendës Shef i Misionit dhe i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë në gusht 2023.
Wisner ka shërbyer më parë si Drejtues i Zyrës së Sigurisë Globale Ushqimore në Departamentin e Shtetit dhe para kësaj si Zëvendes Drejtor për Shtypin dhe Komunikimet Strategjike dhe si Zëdhënës në Byronë e Lindjes së Mesme. Ai ka shërbyer gjithashtu si Ndihmës i Posaçëm i Këshilltares së Departamentit të Shtetit Kristie Kenney, të cilën e ka këshilluar mbi çështjet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. David ka drejtuar Seksionin Politik dhe Ekonomik në Ambasadën e SHBA në Algjer, Algjeri dhe ka shërbyer në seksionet politike në Ambasadat e SHBA në Khartum, Sudan dhe Bangui, Republika e Afrikës Qendrore.
Pra sot numri një i ambasadës amerikane de facto është David Wisner. Njeri aktiv, i kudondodhur, ka informacion të hollësishëm për krejt sistemin politik shqiptar, e di praktikisht se si punohet në shtetin tonë, i vendosur në raport me drejtësinë e re që të mos preket apo t’u bëhet presion nga segmente të mazhorancës apo opozitës së inkriminuar në korrupsion.
Vendosmëria e tij, natyrisht vjen nga DASH, por edhe si karakter personal që SPAK-u të vijojë punën në goditjen dhe penalizimin e të “paprekshmëve” në Shqipëri, se kush prek SPAK ka goditur Uashingtonin. Duhet pranuar që pa ndihmën e Uashingtonit zyrtar nuk do të kishte reformë në drejtësi, por as financim të shumave të mëdha në dollarë nga qeveria amerikane për SPAK, Gjykatat e Posaçme dhe BKH.
Sistemi politik shqiptar është një ndertesë e kalbur por që po mban akoma peng shoqerinë shqiptare, ku të njëjat persona diktojnë jetën e shqiptarëve prej 33 viteve.
Ndaj SPAK-u po bën epokë duke sjellë drejtësi, por indirekt edhe kontribuar në një pastrim të politikës shqiptare.
Prandaj mesazhet e David Wisner se kush prek SPAK, ka punë me SHBA, mbetet një mesazh inkurajues për shqiptarët, të cilët e shikojnë SHBA si garantin e gjithçkaje në Shqipëri e në Rajonin e Ballkanit Perëndimor./KJ/