Debate mes opozitës dhe mazhorancës te Konferenca e Kryetarëve. Balla: Respektoni fjalën e Kryeministrit
Është zhvilluar me debate mes opozitës dhe maxhorancës mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve.
Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka debatuar me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shkak të mbylljes së seancës së 9 tetorit, kur opozita kërkonte dorëheqjen e dy ministrave, Albana Koçiu dhe Besfort Lamallari pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Bardhi i tha Peleshit se nuk mund ta mbyllë seancën se deputetët e opozitës po flisnin.
“Zoti Peleshi, ju keni marrë përsipër të drejtoni Kuvendin. Nëse Kuvendi drejtohet nga kryetari i grupit, na e thoni, sepse opozita nuk ka vend në një Kuvend që diktohet nga forcat e kartonëve. Nuk mund ta mbyllni Kuvendin pse deputetët po flasin.
Seanca e datës 9 tetor është mbyllur sepse deputetët po flisnin. E kuptoj që në atë Kuvend ka deputetë që forcën e marrin nga krimi i organizuar dhe mendojnë se mund të mbyllin gojën e të tjerëve. Ta harrojnë! Ne nuk marrim urdhra dhe as nuk diktohemi nga krimi i organizuar”, tha Bardhi.
Ndërsa Peleshi i është përgjigjur Bardhit duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si opozita po përdor ndërhyrjen për procedure për të penguar zhvillimin normal të debatit në seancat plenare.
“Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit,” deklaroi Peleshi, duke shtuar: “Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta prishim ditën.”
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Bala, kërkoi nga opozita që të respektojnë rregulloren dhe të lejojnë njëri tjetrin të flasin gjatë seancave plenare.
“Ju lutem, mos na shtrembëroni atë që themi. Po jua përsëris që kur flisni ju, askush nuk pipëtin nga ana jonë. Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju. Le t’i japim fjalën njëri-tjetrit që t’u japim mundësi të flasim të gjithë, sipas rregullores. Jemi munduar t’ju themi që nga dita e parë: kur merr fjalën Kryeministri, duhet ta respektoni. Se si e përdor fjalën Kryeministri, është e drejta e tij. Kishte një propozim nga z. Bardhi për nisjen e debatit. Para se të hyjmë, kemi disa kërkesa për mocione për debat. Këto kërkesa janë të përcaktuara qartë në rregullore: prezantohet pro dhe kundër, dhe në fund, pas kësaj, bëhet votimi”, thotë Balla.
Ndërsa deputeti Agron Gjekmarkaj akuzoi Niko Peleshin se po u mohon fjalën deputetëve të PD-së. Në mbledhje, deputeti Agron Gjekmarkaj me ironi i tha Peleshit se nëse është lodhur, ta mbyllë Kuvendin.
“Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflekton, kalon dimri, vjen pranvera, dhe pastaj shohim e bëjmë. Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart! Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur”, tha Gjekmarkaj.
KOHA JONË SONDAZH

