Debate për buxhetin, Fino: Presidenca do më shumë fonde. Me personat “non grata” ulen shpenzimet

Nga Presidenca, te ILDKPKI, te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo DSIK, kanë qenë 9 institucione që kanë paraqitur të martën kërkesat për buxhetet e vitit të ardhshëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ka qenë buxheti i Presidencës edhe ai që u shoqërua me më shumë diskutime. Përtej totalit prej 253 milionë lekësh, afërisht 2.5 milionë dollarë, Këshilltari i Presidentit Petraq Milo kërkoi një shtesë fondi prej 56 milionë lekësh për ngritjen e një sistemi dixhital për zyrën e kreut të shtetit.

Relatori për projektbuxhetin Bashkim Fino nënvizoi me shqetësim që Presidenca kërkon më shumë fonde për investime nga sa i nevojiten, ndërkohë që ironizoi me faktin se etiketimi si “non grata” nga Presidenti, i diplomatëve të caktuar do t’i ulë me tej shpenzimet e zyrës së kreut të shtetit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili kërkoi blerjen e dy furgonëve të rinj dhe një shtesë kati në godinën aktuale duket se doli nga salla e mbledhjeve më i pakënaqur nga të tjerët, duke qenë se nuk mori çfarë donte nën arsyetimin se ligji i ri zgjedhor mund të ndryshojë tërësisht strukturën dhe mënyrën e funksionimit të KQZ.

Pakënaqësi për buxhetin e vitit të ardhshëm shfaqi institucioni i Avokatit të Popullit, ndërkohë që DSIK ishte një prej pak institucioneve të kënaqura me fondet për vitin e ardhshëm.

YouTube player

SCAN

SHKARKO APP