Debati për aplikacionin ”Aktiv1sti”, deputeti Qefalia: Është gjëja më normale. PS është parti e organizuar
Aplikacioni digjital të PS-së “Aktiv1sti”, opozita në vend e cilëson si mjet presioni mbi administratën publike. Deputeti socialist Xhemal Qefalia, thotë se aplikacioni “Aktiv1sti” është një diçka normale për një parti të organizuar si PS-ja. Për të nuk ka imponim ndaj administratës për aplikacionin, në të kundërt mund të denoncohet në media.
“Aplikacioni është gjëja më normale. Nuk e kam parë se sa pikë kam dhe s’jam i detyruar të informoj opinionin publik sa pikë kam. Është një listë fiktive. Është një tymnajë, është një aplikacion shumë i mirë. PS është një parti e organizuar, jo e shthurur, vepron në mënyrë harmonike. Pse do habiteni?! Habiteni se tremben, jo aktivist, jo patronazhistë.
Janë gjëra normale. Ka ikur ajo ideja që s’mbahen më listat e anëtarëve të partisë. Nëse keni raste nga administrata që janë të imponuar, të bëhen prezentë. Le t’i heqin 10, 20 nga puna. Nuk janë kështu shqiptarët që kanë frikë. Aplikacioni është diçka në mënyrë dëshirore, jo urdhërore.
Punonjësi i administratës ndalohet gjatë orarit të punës ta shprehë bindjet politike, por jashtë pune mund ta shprehë. Një qytetar qëndron gati 5 orë e 20 minuta në celular. Kanë ndryshuar gjërat. Është moderuar edhe fushata elektorale”,-tha në “MCN TV”.