Dëbora “pushton” Shqipërinë, ja si paraqitet situata deri tani

Prej orëve të para të së shtunës i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje dëbore me intensitet të lartë dhe shtrëngata shiu në zonat e ulëta.

Reshjet dëbore me intensitet të lartë ka pasur në Bulqizë dhe Peshkopi, ku trashësia në këto dy qytete ka arritur në 10 centimetër, kurse në zonat malore trashësia është më e madhe, varion nga 15-20 cm.

Në zonat malore trashësia e borës është më e madhe dhe varion nga 15-20 centimetra. Rruga e Arbrit momentalisht është e kalueshme por është një aks shumë problematik.

Kukës

Rrjeti i amortizuar elektri i qarkut të Kukësit nuk e ka përballuar dot stuhinë e dëborës. Për pasojë, 80% e zonave të banuara të kësaj bashkie, përveçse janë nën dëborë, kanë mbetur pa energji elektrike që nga nata e së premtes.

Në Rrugën e Kombit, qarkullimi kryhet me vështirësi për shkak të shtresave të dëbores si pasojë e erërave të forta.

Furnizohen me energji elektrike qyteti Krumës dhe i Bajram Currit. Pjesërisht furnizohet qyteti i Kukësit dhe njësia administrative e Zapodit, kurse e gjithë pjesa tjetër e qarkut nuk ka për momentin me energji elektrike.

Rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht me goma dimërore.

Elbasan

Edhe qarku i Elbasanit është mbuluar nga reshjet e dëborës.

Dëbora ka mbuluar dhe aksin rrugor nacional Librazhd-Stebleve por rruga është e kalueshme pa probleme. Prurjet e lumenjve e përrenjëve nuk paraqesin probleme, gjithashtu dhe furnizimi me energji elektrike.

Shkodër

Qarku tjetër i përfshira nga reshjet e dëborës është Shkodra duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Bëhet fjalë për akset Bogë-Qafë Thore të cilat janë bllokuar.

Dibër

Është rënduar situata nga reshjet intensive të dëborës në Bulqizë dhe Mat.

Reshjet e dendura të shoqëruar me erë të fortë dhe temperatura të ulëta ka bllokuar rrugët rurale të njësive të bashkisë Bulqizë, Mat dhe Klos duke lenë të izoluar shumë fshatra pasi trashësia e dëborës ka shkuar nga 35 deri në 45 centimetra.

Fushë-Arrëz

Kryetari i Bashkisë Hil Curri: Bashkia Fushë-Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të denduara të bores! Ekipi i Emergjencave Civile të bashkisë po punon me të gjithë sektorët për përballimin e situatës. Bashkia Fushë-Arrëz do të bej të pamunderen për të ju gjendur pranë banoreve me të gjithëve Njësitë Administrative, Iballe, Blerim, Fierze, Qafë-Mali. Po koordinojmë punen me Emergjencat Civile Kombetare për të përballuar situatën.

Juglindje

Situata nga moti i keq në juglindje të vendit është rënduar pas mesditës së sotme.

Reshjet e borës me intensitet të lartë që vazhdojnë të bien, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, përfshi këtu aksin nacional Kapshticë – Qafë Thanë ku kalimi është i vështirë vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.

Me shume se 20 mjete borëpastruese janë në terren për të mbajtur të kalueshme pa probleme akset nacionale të juglindjes Kapshticë – Qafë Thanë, Korçë – Qafë e Qarrit, Zemblak – Dogana e Goricës, Korçë – Boboshtice – Voskopojë, rrugë të cilat kalohen vetëm me goma dimërore dhe në segmente të caktuara edhe me zinxhirë.

Më e rëndë situata paraqitet në fshatrat e njësive administrative Dardhas, Proptisht, Trebinjë e Velcan në bashkinë e Pogradecit të cilët janë pothuajse të izoluar pasi trashësia e dëborës ka shkuar deri në 20 cm.

Probleme janë shfaqur edhe në fshatrat e njësisë administrative Miras në Devoll, Voskopojë e Lekas në bashkinë e Korçës.

Probleme në aksin Berat-Poliçan-Skrapar, rrëshqitje gurësh pas reshjeve të shiut

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, që kanë filluar që prej mëngjesit të sotëm në qarkun e Beratit, kanë sjellë problematika të shumta në aksin nacional Berat-Poliçan-Skrapar.

Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan po vijon rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks.

Situata vijon të jetë e njëjtë që prej mëngjesit të sotëm.

Kjo rrugë është problematika sa herë që bie shi dhe mjaft e rrezikshme në qarkullim, sidomos gjatë natës pasi aksi nuk ka as drita.

SHKARKO APP