Dëgjesa e dytë me ekspertët për pallatet e dëmtuara nga tërmeti, Veliaj: Investime moderne në lagjet e reja
Bashkia e Tiranës zhvilloi sot seancën e dytë të dëgjesës me inxhinierë dhe ekspertë, të cilët kanë kryer vlerësimet përkatëse për pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Kombinat dhe Astir, e në bazë të përfundimit të raportit të tyre do të merret vendimi për prishjen ose jo. Nga salla e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaroi se për ato ndërtesa publike apo private, ku kostoja e riparimit kalon 70 për qind të vlerës, do të ndërtohen nga e para.
“Një vendim i marrë me vonesë ose i pa marrë shkakton më shumë dhimbje. Këtë agoni e ndërpresim sot për 9 pallate. Janë 8 pallate në Kombinat dhe një në zonën e Astirit. Do të dëgjojmë sot specialistët për vlerësimin e thelluar të pallateve në zonën e Kombinatit, me numër 152/3, 163/1, 163/3, 159, 141, 131, hapësirat 1 dhe 2, 154, 155/1, 145/1, 145/2 si dhe pallati numër 1, i cili është kategorizuar për rikonstruksion në Lagjen numër 14 të zonës së Astirit. Siç thotë ligji: Vendimmarrja e Bashkisë për prishjen e detyruar të ndërtesave në pronësi private apo publike, pra ato raste kur ndërtesa është e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore, kur nuk mund të riparohet ose riparimi kushton më shumë se 70% e kostos së ndërtimit nga e para, merret nëpërmjet këtij procesi transparent dhe bazuar në parashikimet e aktit normativ nr. 9, datë 16/12/2019”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë siguroi të gjithë banorët se dy lagjet e reja në Kombinat dhe në Kinostudio do të jenë ndër më të bukurat. “Unë jam i bindur se lagjja e bukur e Kombinatit do të ngrihet përsëri, lagjja e bukur e Kinostudios do të ngrihet përsëri, por më e mirë se dje dhe ndoshta edhe më e mirë se sot, me investimet moderne që duam të bëjmë, për t’u siguruar që ajo orë 03:54 e tragjedisë tonë të 26 Nëntorit, të kthehet në një orë mundësie që duhet kapur dhe duhet të rendim shpejt për mundësi të reja. Jemi sot për t’i marrë këto vendime pa humbur kohë. Ashtu siç morëm vendime për të dëmshpërblyer dhe rindërtuar tërmetin e shtatorit, apo për 3000 pagesat e para, besoj shumë shpejt kemi 3000 të dytat, ashtu do të marrim vendimet edhe për ato ndërtesa ose ngrehina, për t’i thënë lamtumirë një epoke që iku dhe për t’u rikthyer në një orë 03:54 që duhet të shohim dhe të ecim përpara”, theksoi Veliaj.
Kryebashkaiku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të kryejë të gjitha pagesat për bonusin e qirasë në mënyrë që askush të mos rrijë pa një strehë deri në momentin që do marrë çelësin për të hyrë në apartamentin e ri, po në të njëjtën zonë.