Deklarata tronditëse e ish-kryeministrit italian: Popullit po i fshihet e vërteta, me koronavirusin duhet të jetojmë disa vite (VIDEO)
Teksa ka komentuar situatën e jashtëzakonshme që po kalon vendi, ish-kryeministri, Matteo Renzi ka tronditur me një deklaratë të bërë për median italiane La.7 kur tha se do duhen disa vite bashkëjetesë me koronavirusin.
Ai tha se popullit italian i duhet thënë e vërteta dhe duhet të bëhet gradualisht hapja e vendit ndërsa pohon se kohëzgjatjen e virusit nuk e thotë askush, duke aluduar nga ana tjetër se janë në dijeni.
“Po të ishte puna për të pritur dy apo tre muaj për t’iu rikthyer normalitetit, në rregull. Por nuk është kështu. Me Covid-in do të duhet të bashkëjetojmë disa vjet, por këtë gjë nuk e thotë askush. Italianëve u duhet thënë e vërteta dhe vendi duhet hapur gradualisht”.
Renzi tha se mbi 12 mijë njerëz kanë vdekur teksa thotë se i duhet dhënë përgjigje pyetjes se “ku gabuam”, duke shtuar se duhet ngritur edhe një komsion hetimor në një kohë më të vonë për të gjetur përgjegjësi në gjithë këtë çështje.
“Ne po kalojmë një situatë katastrofike me 12 mijë të vdekur. Secili prej nesh ka një mik apo një pjesëtar të familjes apo një person të njohur që është ndarë prej nesh në këtë tragjedi të tmerrshme. Ne kemi një problem të madh që duhet sqaruar: ku gabuam? Nevojitet ngritja e një komisioni hetimor dhe nevojitet një gjykim politik, por jo tani, sepse tani po përballemi me një situatë emergjence”, tha ish kreu i ekzekutivit italian.
“Ne kemi nevojë për një komision hetimi, kemi nevojë për një gjykim politik”, tha Reanzi.