Delenxhiu Fatos Nano!
Edhe vetë Rilindja u ndje keq dje nga spërdredhja e Fatos Nanos, që më shumë i prishi punë, qeverisë. Deputetë dhe drejtues të PS-së thonin dje se na turpëroi Tosi, bile jargavitja e tij gjithë servilizëm dhe pa pikë dinjiteti ndaj kryeministrit, ia uli kuotat në nivelet më të ulta, Rilindjes, aqsa edhe ministra pëshpërisnin nëpër zyra: Pushti!
Shfaqja servile e Fatos Nanos në emisionin “Opinion” mund të jetë ndër intervistat e rralla kur një politikan bën live vetëvrasje politike. Ish-kryeministri theu heshtjen pas shumë vitesh dhe nga liberali që vlerësohej ende nga një pjesë jo e vogël e PS, u shfaq si një delenxhi dhe rilindas i orëve të fundit. Njeriu që akuzonte Edi Ramën për “trafikant ikonash” mbrëmë bëri kthesë 180 gradë, duke e mburrur për vizion dhe i pa korruptuar. Nano që nuk linte rast pa folur për korrupsion dhe për kapje të PS nga një sekt i rrezikshëm me në krye Edi Ramën, të enjten u shfaq si njeriu që e këshillonte personalisht kryeministrin aktual. Fatos Nano që thoshte se Rilindja është një e keqe që duhet larguar sa më parë mbrëmë na pohoi se Edi Rama ka bërë reforma. I njëjti Fatos Nano që bëri pakte të fshehta dhe publike me Sali Berishën pas vitit 1997 dhe e vlerësonte atë publikisht, u kujtua së fundi se Berisha e kishte futur në burg dhe se ai mbetet politikani konfliktual. I njëjti politikan që për të siguruar mandatin e presidentit deklaronte se “unë jam shoferi i Ilir Metës”, në emisionin “Opinion” e sulmoi sikur të mos e kishte pasur Metën për një PS krejt ndryshe nga origjina e saj komuniste . I njëjti politikan që akuzoi për shumë vite Edi Ramën si peng të bizneseve, të enjten justifikoi çdo gjë që ka bërë kryeministri dhe nuk e fshihte adhurimin për atë. Natyrisht po të shikojë komentet e rrjeteve sociale për Fatos Nanon, lemerisej njeriu sa çfarë i thonin, duke e akuzuar si i blerë nga kryeministri. Edhe analistët me të njohur të vendit e masakruan dje ish-kryeministrin Nano, që kishte dalë më urdhër nga Edi Rama. Akuzat shkonin deri atje se e shoqja merr leje ndërtimi dhe djali i tij ishte emëruar drejtues i AIDA, një nga agjensitë më të mëdha të vendit, me fonde të jashtëzakonshme.
Në fakt, shfaqja e Fatos Nanos në “Opinion” i bëri një shërbim të madh shoqërisë shqiptare. Në ato minuta interviste u rrëzua përfundimisht miti i njeriut dhe politikanit Fatos Nano. Piruetat e tij dhe qëndrimet absurde, krejt servile, u japin të drejtë atyre që Fatos Nanon e kanë sulmuar që në muajt e parë në pushtet. Sjellja prej interesaxhiu dhe politikani pazarxhi që shfaqi në “Opinion” mjafton për të kuptuar se çdo sulm që i është bërë gjatë kohës që ishte në pushtet e ka merituar. Askush nuk i paska rënë më kot Fatos Nanos për keqqeverisjen dhe veset e papranueshme politike, sepse siç dëshmoi para Blendi Fevziut me piruetat e tij, Nano ka qenë i aftë të bëjë çdo gjë vetëm që të përfitojë. Intervista e Fatos Nanos ka dhe një tjetër efekt pozitiv, që mesa duket mbështetësit e tij politik dhe ekonomik nuk e kanë llogaritur. Nano doli sërish në publik jo për të treguar historinë e jetës së tij, por për t’i bërë një shërbim të fundit Edi Ramës dhe Rilindjes. Në panikun e humbjes së zgjedhjeve, Rilindja kujtoi se me daljen e Nanos në skenë nostaligjikët e PS do të afrohen me Edi Ramën. Por intervista pati efektin e kundërt të asaj për të cilën e sollën duke u jargavitur. Në vend të ngjallte simpati apo mbështetje për Rilindjen, Fatos Nano shtoi neverinë e qytetarëve për atë personalisht dhe për skemat e kryeministrit. Stuhia e reagimeve që shpërtheu në rrjetet sociale pas intervistës tregon më së miri se çfarë efekti pati dalja e Nanos. Duke nisur nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij që kanë punuar në momente të vështira me Fatos Nanon dhe deri adoleshentë që nuk e kanë njohur atë në pushtet, ndjesia e krijuar ishte ajo e një neverie. Ish-kryeministri që pretendonte kurorën e politikanit modern, u shfaq ashtu siç ishte; një delenxhi që gjithë karrierën e ka ndërtuar mbi pazare dhe sjelljen politike e ka sipas ofertave ekonomike të radhës.
Edhe vetë Rilindja u ndje keq dje nga spërdredhja e Fatos Nanos, që më shumë iu prishi punë, qeverisë. Deputetë dhe drejtues të PS-së thonin dje se na turpëroi Tosi, bile jargavitja e tij gjithë servilizëm dhe pa pikë dinjiteti ndaj kryeministrit, ia uli në kuotat më të ulta pikët Rilindjes, sa edhe ministra pëshpërisnin nëpër zyra: Pushti!
Mili Xhani