Dëmet nga tërmeti, nis shpërndarja e granteve për shtëpitë në Shijak

Shijaku është e para bashki ku ka nisur shpërndarja e granteve për banesat individuale, të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar. Riparimi i shtëpive do të nisë për 315 qytetarë, dhe më pas te të gjithë të tjerët. Ndërsa i gjithë procesi i shpërndarjes së granteve në të gjitha bashkitë pritet të përfundojë brenda muajit korrik të këtij viti.

Ka nisur faza e shpërndarjes së granteve financiare për të prekurit nga tërmeti i nëntorit të 2019-ës.

Të parët që kanë përfituar janë 315 qytetarë të Shijakut, të cilët do të riparojnë ndërtesat individuale.

Përmes një video-konference, ministri Arben Ahmetaj tha se procesi për shpërndarjen e granteve është gati edhe në shtatë Bashki, dhe brenda muajit korrik mbyllet në të gjitha njësitë.

Ahmetaj: Procesi ka përfunduar në 7 bashki, në këto bashki janë 5708 familje përfituesve DS1 dhe DS3, presim përfundimin në Bashkinë e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës, shuma që familjet përfitojnë në total është 2 mld lekë. Vetëm në Bashkinë e Shijakut, pa ambientet e përbashkëta është 5 mln dollarë. Durrësit 2.4 mld lekë, dhe ju premsiojmë zoti kryeministër që do të shpërndahen brenda muajit korrik. Shuma totale e granteve është 75 mln dollarë.

Qytetarët i marrin paratë  përmes postës, ose edhe bankave të nivelit të dytë.

Lidhur me dëmtimet në pallate, kryeministri Rama ka kërkuar tre përfaqësues për të monitoruar procesin.

RamaTë përzgjedhin 3 përfaqësues, se ndoshta është më e vështirë që të bihet dakord, 1 përfaqësues nga bashkia për të ndjekur procesin dhe të jenë vetë banorët që të kenë sytë në proces dhe që fondi i akorduar familje në familje t’u jepet familjeve.

Parashikohet që brenda muajit qershor, qytetarët të futen në banesat e tyre të reja.

SHKARKO APP