Denaj: Forcimi i financave publike, vlerë për rritjen ekonomike
Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, nën drejtimin e Jan Kees Martijn, vizitoi Tiranë gjatë periudhës 25 prill-6 maj 2019 për të zhvilluar diskutimet e Monitorimit të dytë pas Programit (MPP). Në mbyllje të misionit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shefi i misionit të FMN-së, Jan Kees Martijn dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministrja Denaj theksoi se rritja ekonomike e vendit është tashmë stabilizuar në nivelin 4 % dhe pritet që të vazhdojë prirjen pozitive edhe në pjesën e mbetur të vitit.
“Rritja ekonomike e vendit është tashmë stabilizuar në nivelin 4%. Pavarësisht luhatjeve të tremujorit, të ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm të lidhur me situatën në vendet partnere, pritet që në pjesën e mbetur të vitit ekonomia të vazhdojë prirjen pozitive. Sektorët e bujqësisë, ndërtimit dhe turizmit pritet të kompensojnë luhatjet në sektorin e energjisë. Kërkesa e brendshme pritet të jetë e qëndrueshme pavarësisht rreziqeve në rritje të kërkesës së jashtme. Papunësia ka shënuar rënie duke arritur në nivelin 12.3% referuar raportit të Bankës Botërore. Ndërsa, sipas INSTAT në vitin 2018 në Shqipëri janë 1.23 milionë të punësuar, kurse shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ka arritur nivelin 68.3%. Vendet e lira të punës edhe gjatë tremujorit të parë kanë treguar një trend pozitiv. Të dhënat e deklaruara në Zyrat e Punës flasin për 11,101 vende të lira pune për tremujorin e parë të vitit. Ndërsa punësimet të realizuara vetëm nga Zyrat e Punësimit në tremujorin e parë tregojnë për një rritje 30% më shumë krahasuar me të njëjtën periudh të një viti më parë”,-tha Denaj.
Nga ana tjetër, ministrja Denaj tha se në një aspekt tjetër për tu theksuar është dhe angazhimi i qeverisë për të shtuar ndjeshëm rimbursimin e TVSH-së, që pritet të arrijë ritmet normale brenda këtij tremujori. “Ne kemi marrë angazhim për të paguar të gjithë rimbursimet e prapambetura në një kohë sa më të shpejtë dhe vetëm në katër mujorin e parë janë paguar afro 12 milion dollarë, apo 28% më shumë rimbursime se e njëjta periudhë e vitit të kaluarë shumë. Siç jeni në dijeni, stoku i rimbursimeve ka ardhur për shkak të ngarkesës së menjëherëshme të disa projekteve të mëdha, me të cilat ne tashmë kemi marrëveshje ristrukturimi pagesash. Thënë sa më lartë, në këndvështrimin tonë qëndrojmë optimistë për një tremujor të ardhshëm me tregues pozitiv në drejtim të të ardhurave kjo dhe për shkak të rritjeve të kapaciteteve në drejtim të mirëadministrimit të procesit nga ana e MFE. Ndaj ne mbetemi konfident që deficiti buxhetor i parashikuar në fund të vitit të jetë i pandryshuar dhe borxhi publik të bjerë në rreth 65.5%”.
Guvernatori Sejko, u shpreh se në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë, pozicioni ciklik dhe ekuilibrat e përgjithshëm të ekonomisë shqiptare kanë vijuar të përmirësohen. “Zgjerimi i kërkesës agregate, i ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së konsumit dhe investimeve private, kanë mundësuar ruajtjen e trendit pozitiv të rritjes ekonomike dhe shfrytëzimin gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese”, tha Sejko.
Ndërsa, shefi i misionit të FMN tha se: “Perspektiva ekonomike është përgjithësisht e favorshme. Rritja pritet të moderohet në 2019 por do të vijojë të jetë afër nivelit 4 për qind në periudhën afatmesme. Në periudhën afatmesme, veprimtaria pritet të nxitet nga një përshpejtim i rritjes në BE, rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, fuqizimi gradual i eksporteve përfshirë turizmin dhe investimet e nevojshme për ta mbyllur hendekun e madh infrastrukturor në Shqipëri”.
KOHA JONË SONDAZH

