Denaj prezanton pr/buxhetin në Parlament: Buxheti i rimëkëmbjes ekonomike, mirëqenie për qytetarët
”Qeveria Shqiptare është e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor që e shpreh përmes këtij projektbuxheti, për rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike dhe rikthimin në parametrat normalë të rritjes. E gjithë kjo, natyrshëm përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë”. Kështu e perifrazoi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit para deputetëve të kuvendit dhe për gjithë qytetarët, projektbuxhetin e 2021.
“Kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”. Kjo në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. Treguesit negativ të rritjes ekonomike kanë prekur gjithë vendet e botës dhe ne nuk mund të jemi imun ndaj zhvillimeve të pandemisë, teksa i afrohemi fundit të vitit. Ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike, e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1%, por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin në vijim, që do të ketë një rritje prej 5.5%, duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme”, u shpreh ministrja Denaj.
Sipas ministres, besimi bazohet, jo vetëm në faktin se situata është e menaxhuar mirë dhe fondamentet bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm dhe solid. Të gjitha këto, tha ministrja, ishin dhe në vlerësimin më të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare Moody’s, që konfirmoi ditët e fundit vlerësimin B1 dhe qëndrueshmërinë e financave publike. Ky buxhet do të mbështesë sektorët prioritarë dhe më të ndjeshëm në anën sociale si: shëndetësi, arsim, bujqësi, rindërtim dhe infrastrukturë.
Fjala e plotë e Ministres Denaj
Të nderuar Qytetarë, Kryefjala e këtij projektbuxheti është “Rimëkëmbja Ekonomike”. Kjo në vazhdën e përpjekjeve për të tejkaluar me sukses pasojat negative të dy fatkeqësive natyrore, që goditën vendin tonë në mënyrë të njëpasnjëshme. Treguesit negativ të rritjes ekonomike kanë prekur gjithë vendet e botës dhe ne nuk mund të jemi imun, ndaj zhvillimeve të pandemisë teksa i afrohemi fundit të vitit.
Ulëm pritshmërinë mbi rritjen ekonomike e cila në fund të vitit 2020 parashikohet të jetë në nivelin -6.1%, por parashikojmë rritje në terma pozitive në vitin në vijim. Presim një rritje prej 5.5% duke e rikthyer dukshëm ekonominë shqiptare drejt trendit të rritjes së qëndrueshme. Besimi ynë bazohet jo vetëm në faktin se situata është e menaxhuar mirë, por dhe fondamentet bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm dhe solid. Edhe vlerësimi me i fundit i agjencisë ndërkombëtare Moody’s konfirmoi vlerësimin B1 dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Të nderuar deputetë, në vijim më lejoni t’ju prezantoj zhvillimet më kryesore makroekonomike të këtij viti jo të lehtë mbi bazën e te cilit janë parashikuar treguesit kyç të Buxhetit 2021: Gjashtë mujori i parë i vitit 2020 rezultoi me një rënie ekonomike në nivelin – 6.6% Në mbarë globin, masat shtrënguese sollën rënie të fortë të eksporteve, konsumit familjar dhe investimeve në ekonomi, kryesisht atyre private. Gjatë kësaj periudhe, konsumi final shënoi rënie prej 6.9%, ndërsa investimet totale patën një kontraktim të fortë prej rreth 13.2%. Përveç sektorit të bujqësisë dhe atij të pasurive të paluajtshme, të cilët shënuan një rritje pozitive gjatë 6-mujorit (respektivisht 3% dhe 4.2%), të gjithë sektorët e tjerë prodhues rezultuan me rënie. Rënia e aktivitetit ekonomik u reflektua në një masë të konsiderueshme edhe në tregun e punës. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, papunësia u regjistrua në 12.5% nga 11.6% që ishte në fund të vitit 2019. Ndërkohë, fondamentet më kryesore makroekonomike, deri tani kanë qëndruar stabël. Prej tyre më konkretisht do të veçoja:
- Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, i cili vijon të jetë solid:
- Llogaritë financiare patën Zhvillime Pozitive
Kjo falë edhe mbështetjes se partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët na kanë ardhur në ndihmë nëpërmjet instrumenteve të kredive në një kohë të shpejtë. Sikurse edhe emetimi i suksesshëm i Eurobondit prej 650 milionë euro duke siguruar një injektim të fortë në ekonomi, të flukseve hyrëse në monedhë të huaj. Kemi pasur një rritje të rezervave valutore, duke eliminuar implikime serioze në aspekte të tjera të ekonomisë. Kursi i monedhës vendase ka qëndruar mjaft stabël ndaj monedhave kryesore të huaja. Gjithashtu, dy agjencitë prestigjioze të vlerësimit Standard and Poors dhe Moody’s kanë ri-konfirmuar në raportet e tyre më të fundit vlerësimin e mëparshëm për qëndrueshmërinë dhe perspektiven e ekonomisë shqiptare në përgjithësi dhe financave publike në veçanti. Vlerësimi më i fundit “i thelluar” ishte ai i bërë nga agjencia Moody’s i publikuar vetëm një javë më parë ku agjencia rikonfirmoi vlerësimin perspektivën “e qëndrueshme”.
- Gjithashtu sistemi financiar dhe aktiviteti i tij ka qëndruar mjaft stabël:
Kreditimi ashtu edhe depozitat në sistem kanë vijuar të rriten me ritme relativisht të mira, ku ndër të tjera efekt ka pasur si akordimi i dy Garancive Sovrane për biznesin privat, Në çdo rast, nuk mund të përjashtohet ndonjë rritje në vijim e kredive të këqija, si pasojë e efektit të pandemisë. Deri në shtator, rezulton se ekzekutimi në tërësi i buxhetit është plotësisht brenda parametrave kryesorë siç përcaktohet në rishikimin e fundit të ligjit vjetor të buxhetit. Ne 5 vitet e para pandemisë, financat publike siguruan një trajektore të sigurt dhe optimale të konsolidimit fiskal, e materializuar në parametra kyç të qëndrueshmërisë. Por, na duhet të themi se në këtë viti dhe në vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme, deficiti i përgjithshëm buxhetor dhe borxhi do të zgjerohen. Ky zgjerim i deficitit fiskal do të jetë krejt i përkohshëm dhe i targetuar mirë, për të amortizuar efektet e dy goditjeve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që:
- Deficiti fiskal prej 6.5% e PBB ne fund te 2021
- Balanca korrente do të rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB
Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB-së nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020. Objektivi në afatmesëm është një raport borxhi prej 68% mbi PBB ne 2025 dhe balance primare pozitive në 2023 sikurse ligji organik i buxhetit i ratifikuar në Parlament në korrik të këtij viti ka vendosur.
——————————————————————————
TË NDERUAR DEPUTETË dhe QYTETARE,
Në vijim do të bëj një pasqyrim të shkurtër të të ardhurave të parashikuara në projektbuxhet.
Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë, ku:
- Të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliardë lekë, dhe ndërkohë
- Të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliardë lekë.
Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit do të rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen me rritje -12.2 % ose +34 miliardë lekë.
Politika Fiskale
Nuk mund të mos sjell në vëmendjen tuaj nismat fiskale, që pritet të hyjnë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm dhe që u ndërmorën për t’i ardhur në ndihmë biznesit, si një përgjigje për të minimizuar efektet që po shkakton kjo situatë e vështirë:
- Zerimi i detyrimit të Tatimit mbi Fitimin për biznesin e me xhiro deri ne 14 milionë lekë.
- Rritja e pragut të TVSH-së nga 2 milionë në 10 milionë. Pra, bizneset me të ardhura deri në 10 milionë lekë, nuk do të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
- Rritja e pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.
Në lidhje me Shpenzimet Buxhetore
Për vitin 2021 janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB. Shpenzimet për investime kapitale janë më të lartat në 10 vitet e fundit. Orientimi i shpenzimeve buxhetore drejt sektorëve prioritarë, garanton stimuj pozitivë të sigurt për rritjen ekonomike të vendit në periudhën afatmesme, duke gjeneruar punësim më të lartë dhe të qëndrueshëm. Shpenzimet e Personelit për vitin 2021, janë 5.5% e PBB-së. Fondi shtesë vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe përfshin rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, dhe me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar. Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave përfitojnë:
- 4,650 Mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor;
- 13,765 Infermierë dhe Laborantë;
- 35,883 Mësues të Arsimit Parauniversitar.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 parashikohen në masën 45.9 miliardë lekë. Dëshiroj të theksoj këtu, se gjatë 7 viteve të qeverisjes tonë ky zë është gjithmonë e më i orientuar drejt mirëmbajtjes së aseteve publike siç janë rrugët kombëtare, infrastruktura gjithnjë e në rritje e IT, si dhe në ofrimin e më shumë fondeve për fermerët, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe zhvillimin e sportit. Këtu, është materializuar dhe politika e re e Qeverisë për mbështetjen e fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit duke parashikuar një fond prej 1 miliard lekë. Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 2.4 miliardë lekë. Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020. Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë
Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:
- Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë,
- Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë
- Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë.
- Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë. Ky fond pritet të financojë rreth 30 mijë familje përgjatë vitit 2021.
Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë). Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.
Lidhur me mbështetjen e sektorëve prioritarë, fokus mbeten :
- Arsimi, ku parashikohen të shpenzohen rreth 64.2 miliardë lekë ose rreth 3.8% e PBB, rreth 20 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013.
- Shëndetësia, e cila në vitin 2021 do të përfitojë rreth 60.7 miliardë lekë ose 3.6% të PBB, duke përbërë qoftë në terma nominalë ashtu edhe relativë, buxhetin më të madh të 30 viteve të fundit për këtë sektor.
- Sektori i Bujqësisë i cili në 2013 merrte rreth 5.86 miliardë lekë ndërkohë që në vitin 2021 do të përfitojë rreth 13 miliardë lekë, pra më shumë se dyfishi.
- Në infrastrukturën rrugore, ku së pari dua të theksoj se janë parashikuar përfundimi i projekteve të punëve publike të rëndësishme, duke hapur njëkohësisht kantiere të reja të mëdha për kompletimin me akse kombëtare, që janë pjesë e axhendës së konektivitetit rajonal dhe europian.
- Rindërtimi, në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Krahas 34 miliardë lekë të parashikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2020
- Përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19
Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX).
- Reforma ne Drejtësi
Prej vitit 2016, Qeveria Shqiptare ka shpenzuar 4.45 miliardë lekë për Reformën në Drejtësi. Në buxhetin e këtij viti, do të vijojmë mbështetjen me një angazhim buxhetor për reformën me 5.3 milardë lekë dhe 668 personel shtesë për institucionet e drejtësisë. Më tej në tërësi buxheti për sistemin e drejtësisë do të jetë 7.5 miliardë lekë në vitin e ardhshëm. Për të përmbledhur së fundmi Shpenzimet për Buxhetin Vendor ku projektbuxheti i vitit 2021, pavarësisht prioriteteve të këtij projektbuxheti, vazhdon të mbështesë strukturat e pushtetit vendor.
Pavarësisht vështirësive te këtij viti, financimi nga buxheti i shtetit në formën e grantit për pushtetin vendor jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por përkundrazi pëson rritje të lehtë mesatarisht 1.3% krahasuar me 2020. Gjithashtu, është për tu veçuar fakti se për herë të parë bashkitë do të marrin 800 milionë lekë më shumë nga të ardhurat e parashikuara na tatimi mbi të ardhurat personale. Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore, vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë. Pesha e buxhetit vendor vijon të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013, në 3.3% të PBB-së në vitin 2021.
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 25.4 miliardë lekë ose 10% më të larta se sa i pritshmi i vitit 2020 dhe po thuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015. Për vitin 2021, shpenzimet e buxhetit vendor janë parashikuar në masën 56,3 miliard lekë, me një rritje prej 5.3% më shumë se në vitin 2020. Në buxhetin e vitit 2021, për herë të parë njësive të vetëqeverisjes vendore u është akorduar një fond për mbrojtjen civile prej 500 milionë lekë. Rritja e pagave prej 15% do përfshijë edhe arsimin parashkollor i cili tashmë është i decentralizuar dhe i transferuar në qeverisjen vendore.
Pra, buxheti vendor i vitit 2021, është vazhdimi i mbështetjes së qeverisë për reformat e ndërmarra, për më shumë shërbime dhe investime publike për komunitetet vendore. Në mbyllje të këtij prezantimi, dëshiroj të ftoj të deputetët që të japin kontributin e tyre sa më konstruktiv në këtë seancë plenare për diskutimin në parim të projektligjit të Buxhetit 2021 dhe më pas të shprehin votën në favor të tij. Qeveria Shqiptare është e vendosur të arrijë objektivin e saj madhor që e shpreh përmes këtij projektbuxheti, për rimëkëmbjen e shpejtë ekonomike dhe rikthimin në parametrat normalë të rritjes. E gjithë kjo natyrshëm përkthehet në një mirëqenie më të lartë ekonomike dhe sociale për qytetarët e vendit tonë! Faleminderit!