Denaj: Projektbuxheti 2021 ofron një financim të plotë për institucionet e ngritura të sistemit të Drejtësisë
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj prezantoi para deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut projektbuxhetin e vitit 2021. Ajo bëri një paraqitje të plotë të shtyllave të këtij dokumenti të rëndësishëm, duke e vënë theksin te aspekte si, mbështetja financiare për vijueshmërinë e Reformës në Drejtësi, rritjen e fondeve dedikuar për pushtetin vendor apo edhe për sektorët prioritarë, si shëndetësia, arsimi, bujqësia etj..
“Dëshiroj të ndalem tek Reforma në Drejtësi dhe te mbështetja buxhetore e dhënë përgjatë viteve 2017-2020 e në vijim. Kjo mbështetje shprehet në buxhetet e miratuara për të gjitha institucionet që janë aktorë të këtij sistemi. Më konkretisht, buxheti i këtyre institucioneve në total në vitin 2020 është rritur me rreth 4.4 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2016, vit në të cilin filloi Reforma në Drejtësi, nëpërmjet miratimit të paketës ligjore”, tha Ministrja Denaj.
Ministrja gjithashtu shtoi se Reforma në Drejtësi krahas rritjes së fondeve buxhetore është shoqëruar edhe me një rritje të vijueshme të burimeve njerëzore, ku personeli i shtuar i institucioneve rezulton me 668 punonjës gjithsej.
“Qeveria është tejet e vendosur që Reforma në Drejtësi të financohet brenda standardeve të kërkuara, pasi është një kusht i domosdoshëm për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenie sociale për vendin”, tha Ministrja.
Fjala e plotë e Ministres Denaj
Të nderuar deputetë. Projektligji i buxhetit të vitit 2021, mbart një objektiv madhor, atë të rimëkëmbjes pas dy fatkeqësive natyrore, pasojat e të cilave janë ende me peshë në ekonominë e vendit dhe financat publike.
Pritshmëria jonë për rritjen ekonomike në fund të vitit 2020 është rishikuar në nivelin -6.1%. Qëndrueshmëria e financave publike përbën një tjetër fondament tejet të rëndësishëm për perspektivën e ekonomisë. Përtej zgjerimit të deficitit dhe nivelit të shtuar të borxhit, parametrat kryesorë të financave publike gjatë këtij viti mbeten të qëndrueshëm, pa ndonjë problem serioz me pasoja zinxhir në stabilitetin makroekonomik të vendit.
Në vitet e fundit financat publike kanë hyrë në një trajektore të sigurt të konsolidimit fiskal. Së pari, kjo është materializuar në uljen e deficitit të buxhetor nga 5% të PBB në 2013 në poshtë nivelit prej 2% deri në vitin e shkuar (2019).
Po ashtu edhe borxhi publik ka njohur trajektore të qartë rënëse në vitet e fundit, deri përpara se vendi të goditej nga pandemia, duke rënë nga rreth 73% në vitin 2015 në rreth 66.3% në fund të 2019, megjithëse në atë vit vendi u godit edhe nga tërmeti. Që prej vitit 2016 e deri në 2019 buxheti ka regjistruar një balancë primare pozitive, gjë e cila nuk ndodhte pothuajse në asnjë vit gjatë tre dekadave të fundit (me përjashtim të 2010). Ndërkohë kuptohet, në vitin aktual dhe në vitin e ardhshëm, si rrjedhojë e dy goditjeve të një pas njëshme që u përball vendi, deficiti i përgjithshëm buxhetor do të zgjerohet. Megjithatë, ky zgjerim i deficitit fiskal do të jetë krejt i përkohshëm dhe i targetuar mirë për të amortizuar ndikimin e dy goditjeve.
Ndërkohë objektivi themelor për periudhën afatmesme, në përputhje të plotë edhe me rregullat fiskalë në ligjin organik të buxhetit, do të jetë rikthimi në një trajektore rënëse të borxhit publik.
• Balanca Primare edhe pse sërish e parashikuar në vlerë negative prej minus 3.9% të PBB në vitin 2021, gjithsesi është me përmirësim të konsiderueshëm krahasuar me nivelin e pritshëm prej -4.6% të fundvitit 2020.
• Deficiti fiskal prej 8.3 % e PBB projektuar në Aktin Normativ, mund të jetë më i ulët me të pritshmin e 2020 dhe të reduktohet me tej në 6.5 % të PBB në 2021.
• Balanca korrente (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit.
• Njëkohësisht, në afatin e mesëm në vijim synohet dhe programohet ruajtja e një niveli të investimeve publike në rreth 5 % të PBB në vitet 2021-2023, esenciale kjo për të mbështetur nivele relativisht të larta rritjeje në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.
• Për rrjedhojë, niveli i borxhit publik do t’i rikthehet qartësisht trajektores rënëse në vitin 2021 me një vlerë rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% që pritet në vitin 2020, pra duke u rikthyer sërish edhe ky parametër në përputhje me përcaktimet ligjore.
Rritja ekonomike e parashikuar për 2021, pritet të reflektohet edhe në tregun e punës, duke gjeneruar më shumë punësim dhe rënie të nivelit të papunësisë në 12.2% në 2021 krahasuar me 13.9% që pritet në fund të vitit 2020.
Rritja ekonomike parashikohet ne nivelin e 5.5% dhe e stimuluar nga nxitja e punësimit dhe rritja e konsumit ne kushtet ku situate shëndetësore dhe kufizuese e pandemisë nuk është ne emergjence mendojmë se është e mundur te realizohet. Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliard lekë.
Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxheti të shtetit rriten 10.6 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2 % ose +37.1 miliardë lekë, dhe 2.5% krahasuar me vitin 2019, ndërkohë që rritja mesatare për vitet 2018 dhe 2019 ka qenë 3.5%
Shpenzimet Buxhetore për vitin 2021 të programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Këto prioritete së bashku garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.
Shpenzimet e Personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2021 janë parashikuar në masën 45.9 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Gjithashtu, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 43.8 miliardë lekë ose 2.6% të PBB. Në këtë shumë përfshihet dhe një fond kontingjent prej 4.5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit. Subvencionet janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke pësuar një rritje të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare. Këtë vit rritja e subvencionit i dedikohet e gjitha programeve të nxitjes së punësimit, politikë e nisur në fund të vitit 2020. Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve janë planifikuar në vlerën prej 193.97 miliardë lekë ose 11.5% e PBB në vitin 2021: Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2021 parashikohet në masën 144.6 miliardë lekë ose 8.6% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.4 miliardë lekë. Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2021 janë parashikuar në masën 46.3 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 43.8 miliardë lekë të pritshme për t’u realizuar në vitin 2020.
Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë ose 0.2% e PBB.
Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:
• Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.
• Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 22.2 miliardë lekë
• Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë
• Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2021, planifikohet në masën 4 miliardë lekë, përkatësisht 2 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 1 miliardë lekë fond kontigjence për mbështetjen e procesit zgjedhor dhe 1 miliardë lekë fond rezervë për studime dhe projektime për projektet e investimeve publike strategjike që lidhen me Planin Ekonomik dhe të Investimeve të planifikuar nga BE për Ballkanin Perëndimor.
Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.
Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.
1. Rindërtimi
Në projektbuxhetin e vitit 2021 parashikohen 28 miliardë lekë për përballimin e procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Krahas kësaj shume të konsiderueshme që përballohet nga buxheti i shtetit, gjatë 2021 është parashikuar dhe një fond prej 1.5 miliardë lekë për përballimin e bonusit të qerasë për familjet e mbetura të pastreha nga kjo fatkeqësi.
buxheti i rindërtimit do të mundësojë:
• 3470 banesa individuale;
• 4646 banesa kolektive;
• 145 objekte arsimore;
Si dhe gjithë infrastrukturën shoqëruese të nevojshme për vënien në funksion të plotë të tyre (ujësjellës-kanalizime, energji elektrike, rrugë lidhëse & urbane etj.)
2. Përballimi i situatës së shkaktuar nga COVID-19
Për vitin 2021, kostoja totale e prioriteteve për përballimin e pandemisë COVID-19 që do të financohet nga buxheti është rreth 6 miliardë lekë, ku përfshihet dhe kosto e parashikuar për vaksinën anti-COVID (COVAX), dhe do të garantojë një menaxhim sa më të mirë dhe efikas të pandemisë COVID 19 (këtu nuk përfshihet kostoja e rritjes së pagave me 40% për stafin mjekësor).
3. Infrastruktura
Buxheti i parashikuar për vitin 2021 për infrastrukturën është 49.3 miliardë lekë, ose 2.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 4 miliardësh nga akti normative a vitit 2020.
4. Bujqësia
Vlen të ndalemi në:
• Objektet e mbrojtjes nga përmbytja, mbrojtje lumore dhe rikonstruksione të digave në rreth 800 milionë lekë, për të cilat do të punohet me Bashkitë për parandalimin e fatkeqësive natyrore.
• Skema e kompensimit të fermerëve në një fond tërësor prej 1.8 Miliardë lekësh, nga të cilat 1 miliard lekë i dedikohen skemës së rimbursimit së naftës për fermerët.
Për të kaluar tek Shpenzimet për Buxhetin Vendor
Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë reforma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Qeveria Shqiptare ka miratuar dhe po zbaton një program ambicioz decentralizimi. Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore ka bërë të mundur që pesha e buxhetit vendor të rritet nga 2.1% e PBB-së në vitin 2013 në 3.3% të PBB-së në vitin 2021. Së fundmi, dëshiroj të ndalem tek Reforma në Drejtësi dhe te mbështetja buxhetore e dhënë përgjatë viteve 2017-2020 e në vijim. Kjo mbështetje shprehet në buxhetet e miratuara për të gjitha institucionet që janë aktorë të këtij sistemi.
Më konkretisht, buxheti i këtyre institucioneve në total në vitin 2020 është rritur me rreth 4.4 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2016, vit në të cilin filloi Reforma në Drejtësi, nëpërmjet miratimit të paketës ligjore.
Më konkretisht, financimi i shtuar për institucionet e sistemit të drejtësisë, sipas viteve paraqitet:
1. Në vitin 2017, u financua ngritja e Institucioneve të Vettingut si dhe u shtua financimi për disa institucione ekzistuese si magjistratura dhe Gjykata Kushtetuese. Kosto totale rezulton rreth 350 milion lekë, nga të cilat për Institucionet e Vettingut, kosto e financuar është 300 milion leke.
2. Në vitin 2018, kosto shtesë për vijimin e reformës në drejtësi u miratua në rreth 500 milion lekë të tjera krahasuar me vitin 2017, duke financuar funksionimin e plotë i institucioneve të Vettingut me rreth 340 milion lekë . Gjithashtu, u financuan me rreth 160 milion lekë edhe institucionet e përfshira në këtë reformë, kryesisht sistemi gjyqësor.
3. Viti 2019, shënon financimin më të lartë nga buxheti i shtetit për zbatimin e Reformës në tërësinë e saj, pasi paketa e ligjeve tashmë ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj dhe ka filluar zbatimi i kësaj reforme. Kosto totale e shtuar nga buxheti i shtetit për vitin 2019, shkon rreth 2.1 miliardë lekë nga të cilat:
4. Në vitin 2020, financimi shtesë për vijimin e Reformës në Drejtësi u miratua në rreth 1.5 miliardë lekë nga të cilat:
• 0.6 miliardë lekë investime për pallatin e Drejtësisë
• 0.4 miliardë lekë për KLGJ dhe sistemin e gjykatave
• 0.3 miliardë lekë për funksionimin e plotë të SPAK/BKH
• 0.1 miliardë lekë për krijimin e ILD
• 0.1 miliardë lekë për shtesa në KLP, Gjykatën Kushtetuese dhe Magjistraturën
5. Reforma në drejtësi është shoqëruar gjithashtu edhe me një rritje të vijueshme të burimeve njerëzore, krahas rritjes së fondeve buxhetore. Në përfundim, theksoj se Qeveria është tejet e vendosur që Reforma në Drejtësi të financohet brenda standardeve të kërkuara, pasi është një kusht i domosdoshëm për të pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenie sociale për vendin tonë!
Faleminderit për vëmendjen!