Denaj takim me përfaqësues të call center
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj zhvilloi të enjten një takim me përfaqësues të shoqërive që operojnë në sektorin e call-center në vend. Denaj bëri të ditur se disa prej çështjeve mbi të cilat u diskutua lidhen kryesisht me informalitetin në tregun e punës në këtë sektor, respektimin e të drejtave të punëmarrësve dhe detyrimeve ligjore për punësimin. ”Iu shpreha të pranishmëve se çdo institucion do të jetë në ndihmë të punonjësve dhe bizneseve që respektojnë ligjin dhe të drejtën e punës”.
Sektori i call-center ka pasur ndikim të lartë vitet e fundit në tregun e punës në Shqipëri, pasi një pjesë e madhe e të rinjve e shohin atë si mundësi punësimi. Prej muajit korrik qeveria po zbaton një plan operacional kundër informalitetit i shtrirë ky në disa sektorë dhe i koordinuar. Plani konsiston ndër të tjera edhe në verifikim e deklarimit të punonjësve në tre sektorë kryesorë, ndërtim, call center, fason, si dhe nën deklarimin e pagave.
Në fund të 9-mujorit të këtij viti të dhënat tregojnë një ulje tё mëtejshme tё shkallës së papunësisë nën nivelin prej 12%, niveli më i ulët i regjistruar gjatë dy dekadave e fundit, ndërsa punësimi u rrit me 3.3%, e ushqyer kjo kryesisht nga rritja e shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës.