Denoncimi i PD, Ervin Bushati: Asnjë aplikues, jashtë Programit të Rindërtimit
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka reaguar për deklaratat e Partinë Demokratike, e cila përmes zëdhënëses Ina Zhupa denoncoi rastin e një qytetari që pretendon se nuk ka përfituar nga Programi i Rindërtimit. Kreu i PS për Tiranën thotë se ky është mashtrimi i radhës që kjo forcë politike bën duke përdorur qytetarët dhe fatkeqësi të tilla.
“PD vijon të përdorë qytetarët edhe kur e ka të qartë hapësirën ligjore. Ne, i garantojmë mbështetje Z. Arben Gjoka, që nuk aplikoi dot në kohë për tu përfshirë në Programin e Rindërtimit. Në rastin më të parë, nëse ligji do krijojë një tjetër mundësi, do ta trajtojmë njësoj si 699 qytetarët e tjerë dhe pa ngjyrime politike,” shprehet Bushati.
Ai thotë se në Njësinë 8 janë regjistruar në Programin Kombëtar të Rindërtimit 699 aplikime nga familje të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Prej tyre, 54 shtëpi të pariparueshme po rindërtohen nga e para, ndërsa banesat e tjera, me dëme më të lehta kanë përfituar nga grantet e rindërtimit.
Bushati tha se Arben Gjoka, banues në Njësinë 8 në Tiranë, nuk ka aplikuar në platformën online të Rindërtimit në afatin e përcaktuar, deri në Mars 2020, kur është mbyllur faza e parë e Programit dhe as është paraqitur pranë kësaj njësie për tu trajtuar me programet e strehimit apo me bonus qeraje.