Denoncimi i qytetarëve: Pronarët heqin shiritin, po mbushin bodrumet me ujë
Një pallat në Durrës ka pësuar dëmtime të shumta për shkak të lëkundjeve të tërmetit. Elton dhe Arben Pëllumbi kanë denoncuar në redaksinë e tvklan.al se ndërtesa është nxjerrë si e pabanueshme.
Por sipas denoncuesve, pronarët e pallatit kanë hequr shiritat dhe po mbushin bodrumet me ujë që të mos duken plasjet e kolonave.
“Lagja 13, plazh, rruga “Teuta” pranë Vila Koral. Është shkatërruar pallati, është nxjerrë i pabanueshëm. Pronarët e pallatit heqin shiritat. Kanë hapur depot e ujit për të mbushur bodrumet që të mos duken plasjet e kolonave”, shkruan Elton Pëllumbi.
Nga tërmeti i 26 Nëntorit deri më tani kanë humbur jetën 49 persona, ndërsa mbi 700 persona mbetën të plagosur. Për shkak të lëkundjeve shumë pallate dhe banesa kanë pësuar dëmtime të mëdha duke lënë në qiell të hapur familje të tëra.