Denoncimi: “Myftinia e Shkodrës kërcënon familjen Gokovi për pronën”. Reagon Imami Muhamed Sytari

Mosmarrëveshjet 15-vjeçare për pronën, mes familjes Gokovi në Shkodër dhe Myftinisë së këtij qyteti, kanë kaluar nga sallat e gjyqeve në kërcënime fizike. Denoncimi i pazakontë është bërë nga vajza e familjes Gokovi, Denisa Gokovi. Në një letër publike dërguar në adresën e “Koha Jonë”, Denisa Gokovi, pianiste e njohur, deklaron se për shkak të konfliktit me zyrtarë të Myftinisë, përfaqësues të këtij institucioni e kanë kërcënuar atë dhe personalisht. Gokovi tha për “Koha Jonë” se denoncimin, për këtë rast dhe për incidente të tjera me zyrtarë të Myftinisë, e ka bërë në polici dhe prokurori. Sipas Denisa Gokovit mosmarrëveshjet kanë nisur që në vitin 2005, kur babai i saj ka blerë një pronë në Shkodër me dokumentacion të rregullt, si dhe ka marrë lejen nga Bashkia Shkodër për zhvillimin e saj. Po sipas Denisa Gokovit, përfaqësues të Myftinisë së Shkodrës pretendojnë se prona është e komunitetit fetar dhe kanë kërkuar rikthimin e saj. Çështja është në proces gjyqësor mes palëve. Por konflikti që duhet të ishte zgjidhur në bazë të ligjit dhe me vendim gjykate, ka arritur deri në kërcënime, të cilat kur bëhen në emër të një komuniteti fetar ngjajnë dhe më shumë jo normale. Gokovi flet për “interesa kriminalë dhe tregtarë të Myftinisë” lidhur me pronën.

Gazeta “Koha Jonë” kërkoi një reagim nga ana e Myftinisë së Shkodrës lidhur me pretendimet që ngre në shkrimin e saj Denisa Gokovi. Lidhur me këto deklarata, Myftiu i Shkodrës Muhamed Bardhyl Sytari, deklaroi se ë asnjë rast, nga institucioni fetar që ai drejton nuk është kryer kërcënim apo grabitje e pronës. Imami shpjegon parimet e besimit islam nuk tolerojnë asnjë akt të tillë apo të ngjashëm.

Nga ana tjetër, Imam Muhamed B. Sytari, shpjegon se si gjithë komunitetet e tjera fetare edhe Myftinia e Shkodrës ka prona që i janë marrë që nga viti 1967.Natyrshëm, nuk hyn në misionin e Myftinisë Shkodër dhe të asnjë myftinie kërcënimi me jetë i askujt, as grabitja e pronës private. Të dyja këto, jeta dhe prona (por jo vetëm), janë të shenjta për ne në Islam dhe, drejt kësaj thërrasim vazhdimisht në predikimet tona tradicionale. Nga ana tjetër, janë mbi 100 dosje me pronat e grabitura, të tjetërsuara e të zhvatura qysh pas vitit 1967 dhe të patrajtuara me seriozitetin e duhur në AKKP”,- thotë Imami Muhamed B. Sytari.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lidhur me këto prona, siç është dhe rasti i familjes Gokovi, Imam Muhamed B. Sytari deklaron se institucioni ka ndjekur rrugët ligjore në bazë të vendimeve të gjykatave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Shkrimi i Denisa Gokovit:

Densa Gokovi

Nga Denisa Gokovi

Qëndrimi ilegal i komunitetit mysliman Shkodër ka sjellë konflikte të rënda dhe anti-ligjore në pjesëmarrjen e tyre, përsa i përket përfitimit ekonomik, duke pretenduar se zotërojnë hapësira publike në Shkodër. Prej vitesh, Komuniteti Mysliman posedon dokumentacione fallco të institucionit të tyre, përmes grupeve të caktuara kriminale, që arrijnë të vjedhin prona, apo objekte në zona të mirëmenduara për qëllim përfitimi tregtar. Aktualisht, ky institucion duke shfrytëzuar dhe emrin e komunitetit fetar, për qëllime përfitimi me shpërblime përkatëse, paguajnë urdhërat e padukshëm për të mposhtur dhe frikësuar njerëzit e pafajshëm. Në këtë mënyrë, kanë fituar akses si në qëllimet  tregtare, ashtu dhe në sipërmarrje ilegale, mbi bashkëpunimet e krijuara përmes grupeve kriminale në Shkodër.

Konflikti 15-vjeçar, i cili lidhet me pasojat e thella që janë krijuar familjes Gokovi, ka sjellë padrejtësi dhe armiqësinë e detajuar deri në kërcënime me jetë, me pretendimin për të rrëmbyer çdo gjë me forcë, duke shkelur parimet dhe vlerat qytetare. Familja Gokovi, posedon gjithë dokumentacionin e rregullt përsa i përket objektit  të tyre në Shkodër. Kjo pronë ka zgjuar interesin e Myftinisë për ngritjen e një qendre tregtare, me qëllim përfitimi të dyfishtë tregtare. Ia vlen të përmendim që toka është e blerë nga z.Muharrem Gokovi dhe e pajisuar me leje ndërtimi, gjithashtu me vendime gjykatash, si kritere bazë për fitimin e së drejtës individuale mbi hapësirën dhe pronën.

Ky rast i përmendur në lart, bën thirrje kombëtare si dhe nuk lejon të propogandohet ndaj askujt për të marrë reforma primitive. Tendenca e tyre gjithnjë ka qenë hakëmarrëse dhe me objektiva mashtrimi, duke tentuar të përfshihen në shkelje të rënda ligjore. Para pak kohësh, përfaqësues të komunitetit myslimanë, kanë ndaluar dhe janë përballur me vajzën e familjes Gokovi, (znj. Denisa Gokovi) duke e kërcënuar rëndë dhe tentuar për të ndaluar të vërtetën që thërret hapur vëmëndjen e medias dhe shtetit shqiptar.

Pengesat e krijuara me vetëdije për të konsideruar një armik të fortë, sjellin dëshmi të forta  për të kuptuar që pasiguria nuk ka limite në këtë vend. Sekreti guximtar qëndron në të drejtën minimale dhe qytetare, për të kërkuar dhe qëndruar këmbëngulës ndaj rezultatit përfundimtar. Thirrja vlen për autoritetet vendase, pa qenë pjesë e shkëmbimeve politike, për të marrë masat në këtë drejtim, sepse cenimi  i qytetarit është serioz dhe thellësisht i padrejtë nga një ”komunitet”, i cili përfaqësohet nga kriminelë dhe jo udhëheqës të një feje të caktuar.

Familja Gokovi kërkon maksimalisht përgjegjësinë dhe bashkëpunimin publik, autoritare dhe rezultativ lidhur me këtë çështje, që ka prekur jo pak vite mbi administrimin e saj. Palët vazhdojnë të jenë në konflikt të thellë, duke u drejtuar tre herë institucionalisht drejt prokurorisë Shkodër, ne jemi në pritje që gjendja e krijuar të krijojë baza të duhura zgjidhje. Shpresojmë që kjo thirrje publike të krijojë ndërgjegjësimin dhe vëmëndjen e duhur të autoriteteve përkatëse.

Reagimi i Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari:

“Natyrshëm, nuk hyn në misionin e Myftinisë Shkodër dhe të asnjë myftinie kërcënimi me jetë i askujt, as grabitja e pronës private. Të dyja këto, jeta dhe prona (por jo vetëm), janë të shenjta për ne në Islam dhe, drejt kësaj thërrasim vazhdimisht në predikimet tona tradicionale. Nga ana tjetër, janë mbi 100 dosje me pronat e grabitura, të tjetërsuara e të zhvatura qysh pas vitit 1967 dhe të patrajtuara me seriozitetin e duhur në AKKP.

Për këtë, si Myftinia Shkodër, ashtu edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, është i angazhuar me krejt rrugët legjitime për të arritur më të mirën në drejtim të kthimit të pronave të zaptuara. Ne nuk zaptojmë pronën e huaj, as abuzojmë me shenjtëritë e tjetrit. Ky është kufi i kuq, fetarisht dhe ligjërisht!

Por, njëkohësisht, aty ku kemi vendime gjykate për të drejtën tonë, a urdhëra ekzekutimi të parealizuara nga institucionet vendore, a të ngjashme, natyrshëm që do të ndjekim rrugët ligjore të vendit tonë për të arritur tek e drejta e jonë e shenjtë, pa toleruar asnjë përpjekje për rigrabitjen dhe rizhvatjen e pronës tonë legjitime!

Vakëfet janë të shenjta dhe kthimi i tyre në origjinë është borxh moral e shpirtëror, qytetar e kombëtar, në hak të atyre që nuk janë më dhe të atyre që do të vijnë!

Bekime e mirësi paçi!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 28 gusht 2019”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?