Depolitizim të zgjedhjeve, PD: Administratë zgjedhore që i bindet ligjit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se nuk ka pasur asnjë tryezë për reformën zgjedhore të organizuar të enjten dhe ku opozita nuk ka marrë pjesë.
Gjatë një interviste me gazetaren Mirela Milori në televizionin ABC News, Bardhi tha se ajo që u organizuar ditën e djeshme ishte mbledhje e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, diçka që opozita e bashkuar nuk e njeh dhe e konsideron legjitime.
“Dje nuk ka patur asnjë tryezë për reformën zgjedhore ku PD të ketë qenë e ftuar. Ka pasur një mbledhje të komisionit parlamentar. Atje marrin pjesë deputetët e Kuvendit. Kuvend që opozita e konsideron jo legjitim dhe të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017. Zoti Gjiknuri apo PS është palë në këtë proces dhe është palë e barabartë me opozitën. Qoftë PD, qoftë PS janë aktorë të zgjedhjeve dhe në momentin kur reformohen rregullat e lojës secila prej tyre është e barabartë në trajtimin apo ndërmarrjes së reformës që sjell rregulla të tjera loje. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin që jemi të gatshëm, duke qenë se është prioritet kryesor i vendosur për hapjen e negociatave, që ditën e parë kur kjo çështje u kthye në një kusht të Bundestagut opozita tha se do të japë kontributin e vet në reformën zgjedhore. Si mund të përfshihemi? Duke siguruar barazi mes palëve në këtë proces”, tha Bardhi.