Deputetë e politikanë, hapni veshët e dyllosur nga paratë e pista!
Nga Kristo Mërtiri/Kur hyn vjeshta e dytë në Përmetin tonë me borzilokë e trëndafilambuluar, buzëmbrëmjet marrin një nur të veçantë bukurie, të qetë e pa bujë. Dhëmbeli hijerëndë e Vjosa valështruar, të duken sikur mbajnë vesh dhe përcjellin jo pa kënaqësi vozat e kadet me rrush të shtypur, të pjekur e bërë musht, që rrokullisen e derdhen në kazanët e bekuar të rakisë së famshme. Tregojnë se ajo fjala e urtë “Gushti me rrushin, vjeshta me mushtin”, e ka vendlindjen te ky qytet i dashur për shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë. (Ndërsa mua sikur më sjellin pranë ca çaste malli e dhimbjeje nga parajsa e humbur e fëmijërisë te Kroi i Madh poshtë lofatave nën vithima e në gjunjë të Golikut, atje ku ngryseshim e gdhiheshim pranë prindërve që do nxirrnin pijen e vitit, pranë zjarrit ku me bashkëmoshatarët këndonim labçe me gjongul e piqnim misra pa fund…). Mirëpo, duke folur mbrëmë me Peço Sevon e Muharrem Kamanin (dy nga miqtë e mi të vjetër) më bëhej se dëgjoja edhe një kaba me klarinetë të usta Laverit të pavdekshëm. Nga ai mjeshtër i papërsëritshëm, unë dëgjova për herë të parë një emër të ri: “Nëne”. Kështu i thërriste rakisë të zier dy herë !… Por Polit(h)ika me kazanë në kryeqytet, është shumë larg jetës së njerëzve të thjeshtë e të ndershëm në qendër a në periferi. Gati tërë liderët partiakë majtas e djathtas; analistë të ftuar e të paftuar në median e varur dhe të “pavarur”; sipërmarrës privatë a shtetërorë; ekologjistë llogoresh etj., prezantohen si të pabërë esëll. Thonë e ç’nuk thonë për importin e mbetjeve nga Evropa. Akuza e kundërakuza trishtuese, që bëhen tërkuzë kazanësh në fushën e betejës politike. Dhe faji bëhet qyrk që nuk e vesh askush. I ziu popull shushatet e tulatet nga gjëmimet televizive dhe shpreson te frytet e protestave qytetare. Veçse të tillë kazanë politikë nuk kanë asgjë të përbashkët me kazanët e kallajisur e të mbyllur ku zihet rrushi, kumbulla, thana, dëllinja etj. dhe ku trokëllijnë gotat a filxhanët e urohet me zemër për mot më shumë shëndet e bereqet. Shpesh na duket se ata kazanë politikë ziejnë më tepër në boshllëk e maskarallëk, përtej interesit të vërtetë publik. Sepse në këtë Tranzicion të hardallosur, Polit(h)ika ka shitur xhaba e me bollëk leksione demokracie e trimërie “parlamentare” me disa “kobure” në brez, me sharje e betime bajate ndaj njeri-tjetrit. Madje, nganjëherë ngjajnë edhe me kazanë distilimi ku prodhohet vetëm avull uji. Gjë që mund t’u dalë edhe huq nga temperatura e lartë në foltoren e tempullit të Demokracisë, sidomos ditën e enjte. Disa hazërxhevapë nga maxhoranca e opozita, përpunojnë e hedhin teza thjesht për të mashtruar e trilluar dëgjuesit, lexuesit e shikuesit që i quajnë “dele shtrunge” në stanet e tyre partiake. Pra, vazhdojnë të luajnë ende “kaladibrançe” !…
Në fund të fundit, ata ziejnë në një kazan dhe rrallë e për mall mund të dallojnë nga njëri-tjatri. Në të vërtetë, loja kaladibrançe mazhorancë – opozitë nuk u mbyll me votimet përvëluese në Peshkopi. Majtas e djathtas po luajnë “kaladibrançe” me plehrat në Tiranë, pa përjashtuar këtu ndonjë “lojtar të lirë” nga shoqëria civile. Harrojnë që fytyrëkallajisurve të tillë u del shpejt kallaji. Dhe pastaj mund të luajë hidhur a egërsisht vetë qeni i kallajxhiut ! Kurse fjala tradhti po shpërdorohet pa hesap e si me vrap rreth patriotizmit kallp, kësaj strehe të fundit të horrave politikë e mediatikë. Për shembull, e patë të shtunën varavingon e kësaj tullumbaceje të plasur nga Tirana në Lezhë dhe anasjelltas ? Hidh e prit, si batuta karagjozësh që nuk gudulisin njeri.
-Aman, të kemi rixha, o miku ynë në metropol ! Shumica flasin si në mulli. Njëri i bie gozhdës e tjetri i bie potkoit. Deputetët policë e biznesmenë dhe qeveritarët mujsharë bëjnë be e rrufe për drejtësinë e atij Ligji me yçkla shumë. Apo u bë leku gur mulliri, siç po ndodh me fukarenjtë e këputur ?! Ne mendojmë se hall më vete është kur mjaft “oratorë” mikrofonash e ekranesh, fejsbuqesh e ulluqesh, bluajnë si mulliri pa kokrra e plot dokrra. Shkurt, pa ujë ! Dhe nuk qajmë dot. Prandaj ia morëm asaj këngës së vjetër me shpoti: “Aman mullixhi, derman mullixhi/ Pse s’e bluan grurin, si për revani…”. Po kush të dëgjon në këtë Shqipërizën tonë ! Deshëm të të largojmë sadopak stresin e dëshpërimin e pamerituar. Ja, një rrëfenjë e vockël : “ Njëri, kur pa një mulli me erë, u çudit ngaqë s’kishte parë ndonjëherë dhe pyeti se çfarë ishte.
-Mulli me erë,-iu përgjigjën.
-More, që është mulli me erë e mora vesh, po nga i vjen uji ?”…
Dhe lihen në ballë të oxhakut, kallpazanët në krye të partive e qeverive që vijnë e shkojnë pa u hyrë gjemb në këmbë nëpër Shqipërizën tonë halleshumë e për lumë. Vijnë të varfër e largohen pasanikë nga kolltukët e pushtpushtetit ! Dhe Drejtësia hesht, rri e vështron si skuth në folenë fitimprurëse mbi kurrizin e shtetit ligjor që ëndërrojmë plot çerek shekulli rrumpallë. Mbi kurrizin e hallexhinjve të mjerë në fshatra e qytete. Se batakçinjtë politikë të kësaj klase politike të korruptuar gjer në grykë dhe që duhet shporrur pa mëdyshje e dilema nga vota popullore, tani po luajnë me helmatisjen mizore të tokës, ujit e ushqimit. Majtas e djathtas. “Ku të qesh e ku të qaj ?/ Majtas dreqër, djathtas djaj !…”, shpërthen shpirti i poetit luftëtar e atdhetar i madh. Po kush dëgjon nga ai vesh ?! Bashkë me sytë, janë përmbytur nga eurot, dollarët e lekët shqiptare që kundërmojnë erë hashashi e plehrash gjirizi nëpër majat e gërxhet nepotike të Administratës Shtetërore. Unë vetë jam skeptik edhe përballë daulleve të Reformës në Drejtësi. Kam shprehur mendimet dhe argumentet e mia açik në media, por askush nuk më përgjigjet drejtpërdrejt e hapur. Përjashto ca minj anonimë që qelbin faqet e internetit… Por mua më trishtojnë e irritojnë realisht “Partitë Tregtare të Rilindjes dhe një treg i ri : Tregu i Ligjeve”. Këto i njohin mirë me rrënjë e degë disa firma riciklimi që ustallëkun dhe pazarin e kalojnë me kallaj mbi gunë, me kazanët mbi e nën udhë. Por le ta mbyllim me dy pyetje të thjeshta :
Së pari, ku janë fshehur ekspertët e vërtetë me spaleta e grada të rënda shkencore dhe vetë akademikët që vegjetojnë mbi paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë? Taksapagues që kanë hequr diçka nga buka e gojës për rrogat dhe pensionet e veçanta shtetërore të tyre. Le të dalin në sheshmejdanin e televizioneve a të protestave qytetare dhe t’u thonë për pak çaste liderëve kalanderë në maxhorancë e opozitë : Hapni krahun, kur flasin ekspertët e depolitizuar, duhet të heshtë Polit(h)ika ! Boll e çakërdisët miletin në Parlament, tani hapni veshët e dyllosur nga paratë e pista dhe mbani shënim e reflektoni…
Së dyti, unë i besoj shumë Publikut të vendit tim. Mirëpo, kush e futi atë Ligj brenda tempullit që nga sovrani po pagëzohet dëshpërimisht “Shkërdhatokraci” ? Kush i tha “rrugë të mbarë!”, interesi publik apo ai privat?! Shkurt e shkoqur: Kush i trembet Referendumit popullor, firmat e riciklimit që kanë derdhur trastat e korruptimit apo maxhoranca arrogante e opozita hipokrite?…
Pa folur ekspertët e shkencëtarët patriotë të vërtetë dhe pa Referendum, politika shqiptare e molepsur kokë e këmbë do vazhdojë të bëjë hajgarë me kazanë, mullixhinj e kallpazanë të pacipë!
KOHA JONË SONDAZH

