Deputetët e PS-së i “përvishen” qeverisë: Taksa për lëndën e parë, sulmon prodhimin vendas
Deputetët e Partisë Socialiste kanë kundërshtuar ashpër vendosjen e taksës për lëndën e parë të plastikës, sikurse parashikohet në projektligjin “Për taksat kombëtare”. Sipas tyre vendosja e kësaj takse do të dëmtojë prodhimin vendas, duke çuar kompanitë drejt falimentimit apo largimit nga Shqipëria.
Edhe deputeti Vullnet Sinaj kundërshtoi vendosjen e kësaj takse, duke theksuar se asnjë nga vendet e rajonit nuk i takson lëndët e para. Sipas tij, ky do të jetë një nga vendimet më të këqija në drejtim të ekonomisë, në një kohë kur çdo ditë shqiptarët po largohen nga vendi. Deklaratat e deputetëve u bënë gjatë diskutimeve në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, teksa diskutonin mbi sugjerimet konkrete që do të paraqiten zyrtarisht ditën e premte. Sipas projektligjit të qeverisë, për prodhimin brenda vendit të materialeve plastike, propozohet të vendoset taksa mbi lëndët e para në masën 25 lekë/kg.
Diskutimet në komision
Besnik Baraj: Tek ne prodhohet plasmasi për bujqësinë. Do rritet minimalisht çmimi me 25 përqind. Tek ne prodhohen tubat për bujqësinë, do rritet çmimi i tyre sërish minimalisht me 25 përqind. Tek ne prodhohen plastika që shërbejnë si lëndë pastaj për të prodhuar karrige, etj etj… edhe këtu do rritet çmimi 25 përqid. Ne na erdhi ai (investitor i huaj), ika në Maqedoni- na tha. Duhet të ketë me dhjetëra të tjerë që realisht ose do të falimentojnë, ose do të ikin andej (jashtë Shqipërisë).
Rakip Suli: Këta i kemi kollonën kryesore. Duhet të jemi gjithmonë pro prodhuesit vendas. Prodhuesi vendas, miku im, nuk po flas për prodhime dhe shitje vetëm për Shqipërinë, pasi nesër kjo mund të kalojë dhe kufijtë e vendit. Dhe çfarë përfitojmë nga kjo: rrisim numrin e punësimeve, dhe kur rrit numrin e punësimeve kemi të ardhura tek familjarët, e kur rrit të ardhurat tek familjarët, atëherë nuk i ke ata problem social, e kur nuk i ke problem social, e zxëmë, nesër ata nuk i kemi në rrugë duke vjedhur. Dhe kështu shumë faktorë shkojnë në këtë drejtim dhe të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Në fund, vi tek propozimi i kryetarit të komisionit ku diferenca bëhet 40 me 20.
Vullnet Sinaj: Kemi një problem të madh që përditë na largohen shqiptarët nga vendi. Kjo është e vërtetë. Drita jeshile që duhet ti ndezim shqiptarëve për të ardhmen është ajo që ti japim atyre siguri tek ekonomia. Dhe për këtë arsye jam gjithmonë kundër taksave për lëndën e parë, sepse ato penalizojnë prodhimin vendas. Kur fqinjtë tanë, Maqedonia, Serbia, Kosova, i kanë zero taksat e lëndëve të para, si mundet ne ti vendosim taksë vetes tonë. Unë do të thoja, që për momentin të mos nxitohemi! Do jetë një nga vendimet më të këqija që në mund të marrim në rast se i vendosim taksë lëndës së parë.
/Scan
KOHA JONË SONDAZH

