Deputetët kërkojnë shkarkimin e Bashës, por ka vetëm një rrugë zyrtare
Lulzim Basha tashmë përveç deputetëve që janë pjesë e Komisionit të Rithemelimit, ka kundër edhe deputetët që ishin pranë tij, ku tashmë kërkojnë shkarkimin e tij pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit.
Statuti i PD-së i ndryshuar vitin e kaluar, nuk njeh asnjë përgjegjësi të kryetarit të partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve lokale, aq më tepër të zgjedhjeve të pjesshme lokale. Statuti i PD-së nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit as kur humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Ka një rrugë për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar i PD, dhe është mocion mosbesimi në Këshillin Kombëtar. Vvendimi i shkarkimit nga Kuvendi i PD-së merret vetëm nëse më shumë sesa gjysma e Këshillit Kombëtar kanë votuar pro një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të partisë.
Grupi i ri kundërshtar i Bashës, duhet të sigurojë fillimisht shumicën e votave në Këshillin Kombëtar dhe më pas në Kuvendin Kombëtar, për të mundësuar shkarkimin e Bashës.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar kushtëzohet nga vullneti i Bashës ose i Kryesisë së PD-së. Statuti i PD-së parashikon që Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet vetëm kur e thërret Lulzim Basha, kryesia e PD-së ose nëse mbledhjen e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij.