Deputetët që jetojnë me dieta, paga neto u shkon mbi 4 mijë euro. Ja kush kryeson listën
Një pjesë e mirë e deputetëve të Kuvendit marrin më shumë shpërblime për telefonat, karburantin, hotelin dhe vizitat brenda e jashtë vendit, se sa rrogë për punën e tyre në komisione dhe seancë plenare.
Deputetja e PS-së në qarkun e Fierit, Antoneta Dhima rezulton se në qershor ka marrë një rrogë neto 215 mijë lekë, ndërkohë që përfitimet e tjera (neto) kapin shifrën 254 mijë lekë, duke e çuar totalin në 465 mijë lekë.
Deputeti socialist i Korçës, Ilirjan Pendavinji ka marrë në qershor 225 mijë lekë rrogë pas taksave, ndërsa përfitime të tjera nga dietat 256 mijë lekë, në total 481 mijë lekë. Nuk mbetet pas edhe Fadil Nasufi, deputeti socialist i Beratit që ka marrë 225 mijë lekë rrogë dhe 240 mijë lekë dieta.
Deputetja e PD-së, Lindita Metalia raportohet se ka marrë në qershor rrogën fikse pas taksave 225 mijë lekë, ndërsa dietat e përfituara kanë qenë 220 mijë lekë, në total 445 mijë lekë. Sorina Koti, deputetja demokrate e Korçës, përveç rrogës 225 mijë lekë, ka marrë gjithashtu edhe 239 mijë lekë dieta, ndërsa Greta Bardeli përveç rrogës 225 mijë lekë, raportohet të ketë marrë në llogarinë e saj bankare edhe 256 mijë lekë dieta.