Deputetët “zëvendësues”/ Përfitimet financiare në dy vite, plus edhe dy vitet e ardhshme

Djegia e mandateve nga PD e LSI në vitin 2019, shtroi rrugën për në Kuvend të personazheve që nuk mendohej se do t’i shihnim ndonjëherë të uleshin në karrigen e deputetit. Statusi i deputetit u shoqërua për ta edhe me përfitime financiare jo të vogla.

Në dy vitet e fundit janë shpenzuan rreth 350 milionë lekë për pagat e deputetëve. Një pagë mujore që shkon mesatarisht deri në 118 mijë lekë të reja në muaj nuk ishte aspak keq për ata që rastësisht u gjendën në postin ligjvënësit, duke pranuar mandatet e dorëzuara nga PD dhe LSI. Një deputet i cili vjen nga rrethet e largëta merr mesatarisht çdo muaj 40 mijë lekë karburant, ndërkohë ata që janë afër kryeqytetit përfitojnë rreth 30 mijë lekë në muaj. Pjesë e përfitimeve është edhe shërbimi telefonik.

Për çdo deputet, parlamenti paguan një faturë prej të paktën 17 mijë lekësh të reja në muaj edhe pse operatorët celularë ofrojnë shërbime me çmime shumë më të lira se kaq. Një deputet përfiton mesatarisht 80 mijë lekë të reja në muaj dieta, ku përfshihen ditët që kanë ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në komisionet parlamentare apo seancë, por edhe takimet që kanë zhvilluar me banorët e zonave të tyre. Për ata që janë të pastrehë buxheti i shtetit u rimburson qiranë e shtëpisë në vlerën e rreth 30 mijë lekëve në muaj.

Në këto dy vite një deputet ka marrë nga buxheti i shtetit rreth 6 milionë leke të reja, duke përfshirë pagën dhe përfitimet e tjera. I vetmi që hoqi dorë ishte Erion Piciri. Ata që nuk do jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit, do të vijojnë të përfitojnë pagë nga buxheti i shtetit edhe për dy vitet e ardhshme. /A2cnn/

SHKARKO APP