Deputeti Azem Hajdari me 3 prill 1993 akuzon PD-në dhe parlamentin
Nga Azem Hajdari
(botuar me 3 prill 1993 në KOHA JONE)
Përpara se të vija këtu në Parlament, të nderuar deputetë, kam qenë edhe në një parlament rinor, ku ky projektligj u prezantua dhe u tha se rinia do të jetë gjithmonë në mbrojtje të demokracisë, të tolerancës dhe të së ardhmes së Shqipërisë. Por si sot, çuditërisht, edhe në një monitor përpara tre ditësh kam dëgjuar njerëz që thonë, “Ne falim”. Tomorr Dosti: “Unë fal”. Po në rast se ti je njeriu më human dhe vdes nesër, ku do të shkoj unë?…
Pjetër Arbnori: “Unë fal”. Zotëri, ju harroni se jeni kryetar i kryesisë së parlamentit dhe jeni pak më pak sesa një deputet, sepse flisni më shumë dhe shisni mend më shumë sesa një deputet që s’flet. Deputeti më i mençur në parlamentin shqiptar akoma nuk ka folur. Ne kërkojmë një Shqipëri, ashtu siç kërkojnë gjithë shqiptarët. Ne kërkojmë kthimin e Shqipërisë në një atdhe të gjithë shqiptarëve. Kërkojmë të zgjidhet problemi themelor, ajo çka do të thotë se Shqipëria po ecën drejt demokracisë dhe nuk është më në periudhën e tranzicionit. Kërkojmë ngushtimin sa më shumë të kësaj periudhe dhe hedhjen e hapave të sigurt për integrimin e Shqipërisë në Europë. Dhe hapat e sigurt mund të hidhen vetëm nëpërmjet një ligji themelor.
Zoti Arbnori: Unë mund t’ i referohem fakteve si deputet dhe për sa më poshtë do të pyes edhe elektoratin. Presidenti i Republikës, Sali Berisha, ka çuar dy mesazhe për parlamentin shqiptar, duke kërkuar futjen e kushtetutës në rendin e ditës së këtij parlamenti. Ju, si kryetar i parlamentit që e keni për detyrë të hartoni rendin e ditës në bashkëpunim me kryesinë dhe grupet parlamentare as që e keni vënë ujin në zjarr gjatë gjithë kësaj periudhe dhe keni kryer kryekëput rolin e një Hasbullatovi. Faktet janë fakte. Ngjarjet kanë rrjedhur sipas logjikës së këtyre njerëzve, të cilët me “logjikën e humanizmit” do të sjellin në Shqipëri hakmarrjen, do të sjellin në Shqipëri atë çka Shqipëria e kaloi, do të sjellin në Shqipëri atë çka është e ndyrë, pjesën me të pistë të kombit më të bukur që jeton në Ballkan. Të kombit që përfaqësohet në botë me figurat e tij më të nderuara, të kombit që diti të integrohet në Europë me Skënderbeun që diti të integrohet në Europë, në fillimet e këtij shekulli me diplomatë të shquar si Ismail Qemali, në mesin e shekullit me Fan Nolin, më vonë me Hasan Prishtinën dhe sot me Berishën dhe Rugovën. Pra, zotërinj miratimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka një rëndësi tepër të madhe, por kjo nuk pengon që të shkelen të drejtat e njeriut në mënyrën më çnjerëzore. Presidenti e kuptoi këtë moment, ku ju sot, nën hijen e hipokrizisë, në mbledhje të caktuara, në aspektin e faljes, shkelët dhe përdhunuat. Më i përdhunuari në këtë parlament jam unë, Azem Hajdari, ish-kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i studentëve, i çuar në gjyq nëpërmjet një akuze false! Deri më sot, as ju, as Televizioni Shqiptar, as kurrkush nuk reagoi megjithëse imuniteti im u hoq nga 54 deputetë, kur dihet se heqja e imunitetit është element kushtetues. Ju nuk e kuptuat se heqja e imunitetit të Azem Hajdarit nuk i takon këtij parlamenti, i cili nuk është arsyeja e tjetërsuar kombëtare për të shkuar nga socializmi në kapitalizëm, por është frenim i periudhës së kalimit nga socializmi në kapitalizëm. Ky parlament përbëhet nga njerëz që në shpirtin e tyre kanë mllef, nga njerëz që nën luftën kundër komunizmit fshehin hakmarrjen nga njerëz që krijojnë shoqata për mbrojtjen e figurave “të caktuara”, nga njerëz që i bëjnë demagogji popullit. Unë kam mësuar se kur fillon demagogjia, demokracia mbaron.
Më kërkuan dikur studentët të dal përpara tyre. Dola. Për të mos kërkuar asgjë sot dhe kurrë. Por unë nuk e kuptova asnjëherë, as përpara Ramiz Alisë, as përpara Byrosë Politike, as përpara Aranit Çelës, as përpara hetuesit tuaj zoti Pjetër, nuk e kuptova kurrë se kryetari i Partisë Socialiste mund t’ju akuzonte pikërisht juve për bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit dhe ju nuk do t’ ia kthenit mbrapsht akuzën. Kështu unë zgjata maratonën e gjatë. Në 2400 fshatra të Shqipërisë bëra 1820 dialogë. Me qindra e mijëra mitingje dhe me ty mbrapa vetes. Ju sot keni të drejtë të përqeshni, sepse në mes tuaj keni Baletën, ju keni të drejtë të përqeshni, sepse në mes tuaj keni marrë pjesën më të pistë të këtij shteti, por ju nuk keni të drejtë të dilni përpara këtij populli fisnik, përpara atyre fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë sepse s’kanë këpucë, ju nuk keni të drejtë ta aprovoni këtë ligj. Por sidoqoftë Presidenti e solli ligjin, sepse ju, demokratët, nuk keni nga shkoni pa e miratuar atë. Jua them këtë, sepse nuk duhet të kalonit në veprime ekstreme që bien në kundërshtim me çdolloj demokracie. Ju nuk duhet të përdhunonit atë triumf të arsyes kombëtare e cila u çlodh, u çlirua nga Serbia dhe hyri drejt Evropës së qytetëruar duke treguar se Shqipëria është e gatshme të integrohet në Europë.
Unë sot nuk kam mllef për të shprehur. Unë jam i mbrojtur nga vetja ime, nga konsekuenca ime për të qenë sa më shumë koshient. Unë jam i bindur se ky ligj do të kalojë, sepse të votosh kundër këtij ligji do të thotë të shprehësh komunizmin tënd, por unë jam i bindur se ky shtet do të jetë dhe do të përparojë jo nëpërmjet atyre njerëzve që shprehin “ humanizmin” si falje. Nuk ka ardhur koha të më falësh ti, zoti Pjetër. Po në rast se ty të bie infarkt?
Zoti Pjetër, ju këtu përmendët një djalë nga Shkodra, i cili akoma nuk është mjekuar. Nga qindra mijëra rrugë të tuat me paratë e shtetit shqiptar, pse nuk i fale një rrugë tënden atij djali të plagosur në demonstratën e 2 prillit që të shkonte në spital ndërkohë që unë si deputet i thjeshtë, me kredibilitetin tim kam çuar jashtë shtetit disa të sëmurë, emrat e të cilëve mund t’i denoncoj sot përpara këtij Parlamenti?!
Kujt do t’ia tregosh këtë “humanizëm”? Vëllezër, është koha që t’i buzëqeshim demokracisë duke treguar vlerat tona e sidomos konsekuencën tonë për realizimin e demokracisë. Unë jam i bindur që ky ligj nuk ka aspak lidhje me problemin e kushtetutës, por kërkoj nga ky parlament kalendarin për miratimin e Kushtetutës. Si të mos trishtohem kur dy mesazhe të Presidentit të Republikës për ardhjen e kushtetutës në Shqipëri nuk futen në rendin e ditës dhe nuk diskutohet aspak në grupet parlamentare, kur përveç këtyre mesazheve ka edhe një deklaratë të Presidentit të Republikës ku thuhet shprehimisht: “kam qenë dhe do të jem që Shqipëria të jetë Republikë Parlamentare”? Çfarë fshihet? Besimi është te ligji. Aristoteli vdiq shumë kohë më parë. Pra, sot ka ardhur koha që të saktësojmë nëpërmjet ligjeve kontratën e zgjedhjeve të 22 marsit dhe ne nuk mund të bëhemi konformistë, siç u bënë në të kaluarën konformistët me Byronë Politike. Byroja Politike dhe fëmijët e tyre po futen në burg! Ne, nëpërmjet ligjeve demokratike, duhet t’i tregojmë Shqipërisë se demokracia nuk është më një aspiratë, se demokracia është një realitet dhe se nuk ka njerëz që me mllefin në shpirtin e tyre të mund ta ndalojnë këtë demokraci. Zoti Nano del në shtyp dhe kërkon rrëzimin e Qeverisë Demokratike. Dakord! Ju zoti Nano jeni politikan dhe kryetar i një partie politike, i asaj që sot përfaqëson opozitën. Për mua ka pak rëndësi ecuria juaj politike, por duhet të më kuptoni si politikan. Ju e kuptoni se partia në pushtet ka problemet e veta. Në rast se hiqet Meksi, i cili paraqitet si një intelektual i moderuar, kë doni ju? Dostin?! Ku do të shkosh ti me fëmijët e mi? Prandaj, edhe ju, duhet të keni parasysh që në rast se mendoni që në Shqipëri ka një krah ekstremist, i cili përfaqëson atë çka është e rrezikshme, duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të mbështesni demokracinë e vërtetë. Kjo është demokraci e vërtetë, kjo është rruga që kemi nisur, ndërsa po të dalësh me flamurin e Baletës, po të dalësh me flamurin e atyre që sajojnë gjyqe politike, po të dalim me flamurin e atyre që votojnë fshehtas në 3 të natës, i japin fajësinë Azem Hajdarit, dhe nuk kanë burrërinë të dalin përpara popullit dhe t’i tregojnë se si ndodhi ajo që ndodhi, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me burra. Mua më vjen keq që do ta vazhdoj jetën time politike në këtë parlament, i cili nuk mund ta kundërshtojë këtë ligj, sepse ky është fati i demokracisë shqiptare.