Deputeti bën publike votën: Mes 10% të klasës politike që do lista të mbyllura, dhe 90% të qytetarëve që duan lista të hapura, triumfoi 10%-shi
Ka rinisur me tensione seanca plenare në Kuvend, pas ndërprerjes për 15 minuta, pasi deputetja Rudina Hajdari nuk pranon të lirojë foltoren.
Nga vendi, deputeti i opozitës parlamentare, Korab Lita, ka deklaruar votën e tij kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Sipas deputetit Lita, politikanët e vjetër nuk duan lista të hapura dhe sot vrapuan për të bërë marrëveshje që të mos i hapin ato.
“Ajo që u gatua nga kryekuzhinieri Gjiknuri, ngjan me atë që sado ujë t’i hedhësh nuk bëhet hallvë. Unë e mirëkuptoj kryeministrin, dhe nganjëherë mendoj se po i hyjmë në hakë që po e shajmë shumë, lidhur me atë që po bën, pasi mendoj se ai është në të drejtën e tij për të qeverisur, se ka marrë votat. Ai s’ka asnjë arsye për të lëshuar qeverinë, pasi nuk po tenton t’ia marrë askush. Sot vrapuan për të bërë marrëveshjen për të mos i hapur listat, për të mos iu dhënë të drejtën qytetarëve të votojnë të lirë. Mes 10% të klasës politike që do lista të mbyllura, dhe 90% të qytetarëve që duan lista të hapura, triumfoi 10%-shi. Unë votoj kundër këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor”, tha Lita.