Deputeti Gramoz Pashko paralajmëron: rrezikohet të vendoset një diktaturë nëpërmjet puçit

Deklaratë
-Drejtuar të gjitha forcave politike dhe mbarë opinionit publik shqiptar
-Drejtuar shtypit
-Drejtuar opinionit publik ndërkombëtar
Ideja e Presidentit Berisha, gjatë konferencës për shtyp të muajit korrik, për futjen sa më të shpejtë të Kushtetutës së re padyshim ishte për t’u përshëndetur. Megjithatë mekanizmi me të cilin u kërkua prej tij miratimi i Kushtetutës dhe përbërja e Asamblesë Kushtetuese linte vend për diskutim, gjë që vetë Presidenti shprehimisht e la të hapur dhe të diskutueshme, duke e quajtur një mendim personal të tij pra aspak absolut. Miratimi i Kushtetutës ka tre rrugë: ajo mund të votohet ose nga deputetët e Parlamentit me numrin e 2/3 të votave të përgjithshme, ose me Referendum popullor, ose me Asamble Kushtetuese të zgjedhur nga populli posaçërisht për të miratuar Kushtetutën. Por fatkeqësisht mulliri i Partisë Demokratike e legjitimoi pa modifikime e diskutime idenë e Berishës për një asamble të emëruar dhe jo të zgjedhur, ndërsa me një ngut krejtësisht të dyshimtë kryetari i saj Eduart Selami, deklaroi më datën 22 gusht se PD do të kërkojë miratimin e kushtetutës me asamble kushtetuese të përbërë, veç deputetëve, edhe nga kryetarë bashkie e intelektualë të shquar. Do të dëshiroja që ta quaja të pandërgjegjshëm këtë qëndrim të udhëheqësit të Partisë Demokratike sikur të mos më alarmonin dy prerogativa. E para, fakti që Parlamenti nuk po mblidhet megjithëse është kërkuar nga një numër deputetësh siç e kërkojnë dispozitat kushtetuese ekzistuese, pra ekziston rreziku që shpallja e asamblesë dhe mekanizmit të formimit të saj të bëhet shumë shpejt dhe në mënyrë të kundërligjshme me dekret. E dyta, fakti që PD duke disponuar të gjitha mjetet për të ushtruar pushtetin e saj, ka rrezik të ndërmarrë një vendim të gabuar për të gjithë ne, siç kanë qenë edhe shumë precedentë të deritanishëm, duke rrezikuar ta zbatojë atë me dhunë dhe njëkohësisht duke krijuar një situatë që më vonë do të bëhet e pariparueshme. Precedentë të tillë po u shndërruan në realitet kërcënojnë që në Shqipëri të vendoset një diktaturë e re e përligjur nëpërmjet pucit. Sa pa u bërë një fakt i kryer ai duhet ndalur.
Asambleja Kushtetuese nuk mund të emërohet me dekret dhe as me gjysmën e votave të Parlamentit. Por sipas propozimit të PD thirrja e Asamblesë rrezikon të bëhet me dekret, pra ajo do të jetë Asamble e emëruar dhe jo e votuar, gjë që është krejtësisht e papranueshme në çdo vend demokratik. Asnjë individ i vetëm, apo asnjë grup individësh, nuk ka të drejtë të caktojë njerëzit e nëpërmjet tyre të përcaktojë modalitetet e ndërtimit të shtyllës shtetformuese të vendit pa i kërkuar zgjedhësve të votojnë për formën që duhet të ketë shteti i tyre apo pa qenë përfaqësuesi i zgjedhësve për këtë detyrë. Ligji aktual mbi dispozitat kushtetuese kërkon 2/3 e votave të deputetëve të zgjedhur për aprovimin apo ndryshimin e ligjeve kushtetuese. Në rast se kjo nuk na pëlqen le të kalojmë në votime të reja. Në rast se nuk do të dëshiroheshin zgjedhje të reja veçmas për asamblenë, thirrja e një asambleje kushtetuese detyrimisht duhet ta plotësojë këtë kusht, vetë thirrja e saj duhet të votohet nga 2/3 e deputetëve të cilëve në mars 1992 zgjedhësit u kanë dhënë mandatin të jenë ligjvënësit e tyre, pra, vetëm një mekanizëm mund të ndalë pucin: votimi. Në qoftë se nuk ftohet elektorati shqiptar të votojë për këtë gjë, t’u japë mandat anëtarëve të asamblesë që do t’u shtohen deputetëve të cilët e kanë tashmë këtë mandat, atëherë ajo që propozohet është padyshim një diktaturë e re që hyn nga dera e pasme.
Kushtetuta nuk mund të votohet nga njerëz që nuk janë zgjedhur si ligjvënës. Ftesa për të marrë pjesë në asamble të kryetarëve të bashkive apo intelektualëve të ndryshëm është vetëm një truk thjesht për të siguruar numrin e nevojshëm të votave pro propozimeve të Partisë Demokratike. Kjo është një fyerje e ulët që i bëhet elektoratit. Kryetarët e Bashkive edhe pse mund të kenë pas vetes një numër të madh votash nuk janë zgjedhur si ligjvënës të Shqipërisë por si administratorë të distriktit bashkiak përkatës. Intelektualët e shquar apo të pashquar, të zgjedhur midis një klani apo një tjetri, nuk janë as ata ligjvënës të Shqipërisë. Statusi i një intelektuali të shquar apo të pashquar, i dhënë nga Qeveria, Akademia e Shkencave, Partia Demokratike apo Presidenti, përbën një nderim subjektiv ndaj tyre, e aspak nuk përbën një mandat për të votuar Kushtetutën, ndaj çdo votim i kujtdo intelektuali është i paligjshëm. Paskëtaj elektoratit shqiptar i lind e drejta absolute të mos respektojë asnjë ligj të miratuar nga njerëz të pazgjedhur drejtpërsëdrejti prej tij.
Shqipëria rrezikon të turpërohet para familjes së vendeve demokratike. Miratimi i një kushtetute në këtë mënyrë do të jetë turpi më i madh për fytyrën e Shqipërisë para opinionit botëror, para Këshillit të Evropës, si një fyerje e rëndë ndaj kartës evropiane, si një ringjallje dhe legjitimim i diktaturës. Personaliteti i shqiptarëve do të humbasë krejtësisht duke treguar se shqiptarët janë të padenjë për të bërë pjesë në familjen e vendeve të civilizuara demokratike, duke treguar se shqiptarët nuk dinë ç’të bëjnë me lirinë dhe demokracinë e fituar, nuk dinë të jetojnë veçse me diktaturë. Në këto rrethana ftoj të gjitha forcat politike dhe politikanët e ndryshëm që me mjete demokratike ta frenojnë këtë farsë, deri në bojkotimin e Parlamentit. Ftoj edhe deputetët e të gjitha forcave të mos bëhen bashkëfajtorë të një krimi kolektiv ndaj demokracisë. Ftoj intelektualët që e ndiejnë veten që e kanë shpirtin ende të lirë, të mos bëhen pre e një truku të tillë, gjë që do t’i ngarkojë ata më pas me një përgjegjësi të turpshme e të pajustifikueshme. Ftoj mbarë elektoratin shqiptar ta konsiderojë këtë veprim një fyerje të rëndë që i bëhet atij, dhe një dhunim të vullnetit të tij për të ushtruar pushtetin sovran vetëm me anën e zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta.
GRAMOZ PASHKO

(Botuar me 28 Gusht 1994 në KOHA JONE)

SHKARKO APP