Deputeti i memeve: Do mungoj në Kuvend, këta janë deputetët më të poshtër. 100% zgjedhjet do të përsëriten
Selami Jenisheri, para 2 viteve mori postin e deputetit pasi PD/LSI dogjën mandatet. Sot para gazetarëve ai shprehu keqardhjen që jeta e tij politike në Parlament përfundoi këtë të mërkurë.
Në seancën e fundit parlamentare, Jenisheri tha se zgjedhjet duhet të përsëriten sepse nuk ishin të ligjshme. Ai nuk la pa sulmuar deputetët, duke përmendur ligje të rëndësishme, që sipas tij, kanë refuzuar t’i votojnë.
“Më vjen keq që do mungoj në Kuvend. Askush nuk e di që Selami Jenisheri, kryetari i Partisë së Pensionistëve nuk do jetë në shtator në Kuvend, pasi 100% do të përsëriten zgjedhjet.
Zgjedhjet janë të kundërligjshme, kanë thyer nenin 24 që emigrantët nuk kanë votuar dhe nenin 160 i Kodit Zgjedhor. Këta janë deputetët më të poshtër që ka pasur historia e parlamentit shqiptar.
Nuk kanë pranuar të votojnë ligjin që kanë propozuar për detektivin privat, që ky detektiv të çon direkt në burg. Kam kërkuar që të vendoset dhe njëherë në fuqi neni 315 i Kodit Penal ku i thuhet gjyqtarëve ku gjyqtari ka të drejtë të përgjigjet para ligjit, nëse merr një vendim të padrejtë”.