Deputeti i PD, Sula: Emigracioni i lartë po largon edhe turistët

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka trajtuar çështjen e emigracionit, ku thekson Shqipëria është një ndër vendet me nivelin më të lartë të largimit të popullsisë. Duke cituar Organizatën Kombëtare për Migracionin në Tiranë, deputeti shkruan se pasojat e këtij emigracioni kanë filluar të ndihen, duke marrë disa shembuj se çfarë sjell largimi i të rinjve nga vendi. Sipas tij, një turizëm i mirë nuk mund të krijohet nga mosha e tretë dhe pa standard, që rrjedhimisht sjell edhe largimin e tyre, thoë ai.

Postimi i plotë 

Pa punonjësit nuk ka zhvillim! Përkundër atyre që thotë kryeministri ynë se me demek shumë shqiptarë ikin por, shumë të tjerë kthehen, Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin, e thotë qartë se Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë. “Rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, vuri në dukje IOM.

Kjo dukuri nuk është risi pasi ka nisur një valë largimesh që nga viti 2014 por, risi është se pasojat që kanë filluar të ndihen. Kush do ti shërbejë turistëve që pretendon qeveria se po ‘pushtojnë’ Shqipërinë?! A mund të krijojmë ne standardin e turizmit elitarë me punonjës të moshës së tretë? (këta të fundit e kanë dhënë kontributin e tyre e duhet të shijonin pensionin). Ata që e cojnë vendin përpara, ata që vendosin standard janë mosha vitale për punë dhe punonjësit e kualifikuar?

Kush do ti prodhojnë produktet Made in Albania, perimet, frutat? Kush do ti rris bagëtitë në Shqipëri që të shijojnë produktet Made in Albania turistët? Prindërit tanë që kanë një jetë që vuajnë? Jo, duhet të jenë të rinjtë që duhet të çojnë para aty ku e lënë prindërit. Nuk duhet analizë e thellë. Të gjithë jemi dëshmitarë se si ka rënë numri i turistëve nga viti i kaluar në këtë vit. Një nga arsyet thelbësore është pikërisht kjo; shërbimi jo i duhur. Pse? Sepse 40% e forcës vitale të punës kanë ikur në një vend të Evropës.

Të dhënat e fundit të censit të popullsisë i cili ka dyshime të forta se u manipulua, treguan se, popullsia e vendit është pakësuar me 420 mijë persona ndërmjet 2011-2023 si rrjedhojë emigracionit të lartë. Diaspora shqiptare jashtë vendit ka arritur në mbi 1.6 milionë persona dhe kjo është sa 66% e popullsisë që jeton në vend. Kjo është fatkeqësi dhe një rrugë që të con vetëm në greminë. Shpresoj ta kuptoj sa më shpejtë mazhoranca këtë dhe në vend që të ndërmarrë politika ndëshkuese, për profesionistët e lirë, për bizneset, bujqësinë, ti stimulojë të ecin para. Të nxisin të rinjtë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre pranë familjarëve.

SHKARKO APP