Deputeti i PS-së në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, Gogu: Dialog konstruktiv me opozitën për negociatat me BE
Këtë të mërkurë u mblodh Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. Gjatë fjalës së tij, zv.kryetari dhe deputeti i PS-së, Toni Gogu vlerësoi punën e shkëlqyer që është bërë nga autoritetet shqiptare në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi edhe dialogun konstruktiv me opozitën për këtë çështje.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Gogu u shpreh se nuk kishte ditë më të mirë se sa sot për t’u mbledhur, pasi sot shënohet 1 vit nga hapja e negociatave. “Njëlloj si prindërit e rinj kur fëmija mbush 1 vjeç, ka nga ata që thonë nuk ka filluar të flasi akoma shpejt, nuk ka marrë vrapin, ka nga ata që janë shumë mirënjohës që fëmija jo vetëm ka ecur për po ecën mirë”, tha ai.
Gogu vlerësoi punën e delegacioneve shqiptare që sipas tij, “po anëtarësojnë Shqipërinë ndërsa ne flasim dhe po bëjnë gati grupkapitullin e parë që negociatat mundësisht të hapet në fillim të vitit tjetër”. Gogu tha se kjo është pranuar nga komisioneri Varhelyi.
“Metodologjia ka ndryshuar. Tani ne negociojmë grupkapitujt. Rendi dhe siguria janë po aq të rëndësishme sa administrata publike. Në momentin që ne kemi 5 kapituj së bashku që bëhen gati në fund të këtij viti për të hapur negiociatat, do të thotë se është bërë një punë e shkëlqyer pasionante dhe profesionale nga i gjithë ekipi negociues”, tha ai.