Deputeti Malaj flet për nismën e socialistëve: ”Punët e Shqipërisë” është diçka e brendshme e PS-së
Deputeti i PS-së, Erion Malaj shpjegon nismën e socialistëve “Punët e Shqipërisë” dhe qëllimin e saj. Për të kjo iniciativë ka lindur si një nevojë për të rikthyer kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët, pas një periudhe të caktuar shkëputjeje. Ai theksoi se fokusi kryesor është diskutimi i çështjeve që prekin përditshmërinë e njerëzve.
“Punët e Shqipërisë ka nisur si një nevojë për të qenë në kontakt direkt me qytetarët dhe për të folur për problemet që janë më të rëndësishme për ta sot”, u shpreh ai në ”A2cnn”. Deputeti socialist e cilësoi këtë nismë si një proces të brendshëm të Partia Socialiste e Shqipërisë, që synon të forcojë komunikimin fillimisht me strukturat e partisë dhe më pas me qytetarët.
“Është diçka e brendshme e PS-së, që na bën të jemi më të drejtpërdrejtë me qytetarët. E nisim nga strukturat tona dhe më pas vijojmë me çdo qytetar”, tha Malaj. Ai shtoi se temat e diskutimit përfshijnë çështje kyçe si integrimi europian, ekonomia dhe problematika të tjera të përditshme, ndërsa bëri dallimin mes rolit të partisë dhe qeverisë.
“Me çmimin e naftës merret qeveria, nuk merret partia. ‘Punët e Shqipërisë’ është për të komunikuar dhe për të shpjeguar procese të rëndësishme”, theksoi ai. Malaj bëri me dije se nisma do të zgjasë për nëntë javë, ku çdo javë do të trajtohet një temë e veçantë. Java e parë i është kushtuar procesit të integrimit europian, për të sqaruar, sipas tij, keqinformimet dhe perceptimet e gabuara që kanë qarkulluar.
KOHA JONË SONDAZH

