Deputeti Mziu: Ankimimi i Alibeajt i drejtë, por beteja të mos vijojë më
Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu thotë se nuk i vjen mirë që në kulmin e fushatës vazhdon odiseja e përplasjes së brendshme. Sipas tij është absurde që PD ra në grackën e Rilindjes, pasi ka gati dy vite në këtë lloj situate dhe se është absurde që PD nuk arriti të dalë jashtë interesave të saj të lidershipëve, për të pasur një kandidat të përbashkët në zgjedhje. Lidhur me ankimimin e Enkelejd Alibeaj në KAS, ai deklaroi se nuk do të donte që beteja të vazhdonte më tej.
”Me që koalicioni kishte siglën e PD brenda, është i drejtë ankimimi i Alibeajt, se PD nuk mund të përfaqësohet me dy struktura në zgjedhje. Pavarësisht se unë do kërkoja se jemi akoma në kohë që kandidatët të jenë të unifikuar dhe të kandidojnë me siglën e PD.
Siç ka kërkuar Alibeaj, më e mira do të ishte që kandidatët të kandidojnë me siglën e PD dhe në disa nga bashkitë që do dakordësohej të ishin pjesë e PD të kishte një listë të përbashkët. Nëse nuk arrihet, kjo është në dëm të PD dhe qytetarëve. Por nuk duhet të konfuzohen qytetarët që të ketë dy sigla PD, pasi gjykata është shprehur.
Do të doja që çdo kandidat të dilte me siglën e PD. PD është një brand i patjetërsueshëm, qytetarët janë të polarizuar ose me PD ose me Rilindjen. Do të doja që edhe nëse do shkohet drejt dy listave, që eksponentë që kanë peshë dhe mbështetjen e PD, të bëheshin pjesë e listës së PD-së më 14 maj”- tha Mziu që njëherë ka qenë me Berishën, pastaj me Bashën, prapë me Berishën e tani me Alibeajn.