Deputeti tregon hallet e qytetarëve: Pleqtë s’kanë lekë për të blerë brekë. Po marrin bukë misri
Këtë të premte është mbledhur Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, i cili për të folurit hapur, pa doreza, këtë herë ka vënë theksin tek të ardhurat e pamjaftueshme të qytetarëve shqiptarë. Ai u shpreh se pleqtë në Lushnje nuk ia dalin dot me 100 mijë lekë në muaj dhe detyrohen të shkojnë te tregu dhe të marrin ato produkte që kanë ngelur pa u shitur.
“E nderuar zonja ministre, nuk dua të bëj pyetje. Por kur erdha për Tiranë, më tha mamaja, ore do ja bësh dy pyetje ministres për mua tha. Mamaja ime me 107 mijë lekë të vjetra ose 10 mijë e 700 lekë në muaj. Meqë jeni te fusha e ekonomisë të gjithë, një bukë misri dhe një shishe kos në ditë bëjnë 2 mijë lekë, për 30 ditë bëjnë 60 mijë lekë.
Bukë misri se me bukë gruri shkon 75 dhe nuk ka terezi. 40 mijë lekë i ka ilaçe, kur është mirë. Tani ngelën 8 mijë lekë për drita, ujë e tjerat me radhë. Imagjinoni dot, se mirë ajo se ka çunin deputet dhe i jep ndonjë lekë, po të tjerët si ia bëjnë?
S’kanë lekë për të blerë mbathje! S’kanë lekë për të ngrënë bukë, e kupton? Unë mendoj që këta njerëz janë duke pritur vdekjen, se jetë nuk mund të bësh me 100 lekë në muaj. O do bëhen dhe pleqtë hajdutë se s’kanë ça bëjnë të shkretët, ose do shkojnë te koshi i plehrave ose të shkojnë te tregu të marrin speca e gjithë ato që nuk shiten. Po të shikosh te tregu i Lushnjes i ke të gjithë pleqtë me radhë atje për të marrë ato që hedhin tregtarët. Ju ftoj me një kamera për të parë”, tha Korreshi.