Deputetja e PD-së: Qeveria ka gënjyer UNESCO-n për Butrintin
Deputetja Ina Zhupa i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese thirrjen e dëshmitarëve për koncensionin e parkut kombëtar të Butrintit.
Para Gjykatës, Zhupa tha se ka kërkuar që qeveria të dërgojë të gjithë dokumentet që i janë përcjellë UNESCO-s në lidhje me Butrintin.
“Ky është një mashtrim që i çohet UNESCO-s nga shteti shqiptar vetëm për të thënë që nuk e ka shkelur konventën e Parisit. E gënjejnë dhe përveç kësaj, ata kanë një vit e gjysmë që nuk sjellin dokumente as mua dhe as Gjykatës Kushtetuese. Kërkesa jonë do të jetë detyrimi i qeverisë për të sjellë të gjithë dokumentacionet që lidhen me UNESCO-n para se të vendoset koncesioni i Butrintit në Kuvend. Nuk mund të hyjmë në një gjykim duke na fshehur të vërtetat. Është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese të jetë e bindur 100% në shkeljet e Kushtetutës.
Butrinti nuk është pasuria jonë, por e gjithë shqiptarëve. Kjo është një betejë përtej politikës dhe na takon të gjithëve si shqiptarë. Kërkesa e dytë është në lidhje me thirrjen e dëshmitarëve për Butrintin. Gjykata duhet të dëgjojë ata që kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Nuk mund të bëhet një proces kushtetues pa dëgjuar atë që thotë që Butrinti është grek. Kam kërkuar të thirret ish-kongresmeni amerikan që është marrë me çështjet shqiptare. Që flet për modelin amerikan”,- tha Zhupa para Gjykatës.
KOHA JONË SONDAZH

