Deputetja e PL, Xhixho: Europa ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për të qenë më e bashkuar
Deputetja e Partisë së Lirisë, anëtare e Komisionit për çështjet Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, Erisa Xhixho deklaroi të hënën nga Brukseli, gjatë punimeve në Komisionin Evropian, se Europa ka nevojë për Ballkanin perëndimor për të qenë më e bashkuar. Sipas saj zgjerimi është rruga e vetme për ta bërë Europën më të bashkuar dhe më solide.
”BE mbetet objektivi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një rajon shpesh herë i trazuar, pa një traditë të konsoliduar të shtetndërtimit demokratik, Ballkani Perëndimor është prekur vitet e fundit nga emigrimi masiv.
Të gjitha këto ia kanë ngadalësuar hapin duke vënë në disproporcion procesin e integrimit me atë të reformave. Ne duhet pikësëpari të ndërtojmë Europën në vendet tona, një proces përmes të cilit mund të transformojmë shoqëritë, standardet e jetesës dhe institucionet tona.
Pak vite më parë pati skepticizëm nga vende anëtare për zgjerimin e BE-së, por sot jemi në kushtet e një lufte që zhvillohet prej më shumë se dy vitesh në kufijtë e Unionit. Lufta në Ukrainë i shërbeu Europës si zile zgjimi për t’i kujtuar se vetëm duke qenë e bashkuar mund të përballë çdo rrezik”, tha më tej Xhixho.