Deputetja e PS dhe burri jo të prekur nga COVID-19, mjeku i shërbeu viktimës (FOTO)

Vdekja e 73-vjeçares së prekur nga Covid-19 në Durrës, alarmoi stafin mjekësor që i shërbeu. Deri më tani 50 mjekë janë testuar dhe kanë dalë negativ por të prekur nga virusi janë dy zonja që ishin në dhomë me të ndjerën. Nga ana tjetër, mësohet se bashkëshorti i deputetes Klodiana Spahiu, Edi Spahiu, njëherazi mjek i Spitalit të Durrësit, ka rezultuar negativ me COVID-19. Spahiu ishte një nga mjekët që i ka shërbyer pacientes 73-vjeçare e cila ndërroi jetë në spitalin e Durrësit. Mjeku Edi Spahiu dhe e shoqja, Klodiana, kanë rezultuar të dy negativë pas testimeve të kryera për COVID-19.

Jo më larg se sot, Ministria e Shëndetësisë, njoftoi se është infektuar nga COVID-19 një nga mjekët e tjerë të spitalit të Durrësit, i cili ndodhet në shtëpi, i vetë-karantinuar, pasi iu bë testi i parë. Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 33 të prekur. Një prej të prekurve, ndërroi jetë në Spitalin e Durrësit dhe vatra e të infektuarve është zgjeruar në Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, Durrës, dhe Lushnje. Jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, me ndërprerjen e transportit dhe punës. Po ashtu shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.

E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët. Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457. Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat: 8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina) 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste

Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.

Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.

Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë marrë duhet të merren seriozisht.

”OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të testohet”.

SHKARKO APP