Deputetja e PS, Sara Mila sulmon Berishën në Kuvend: Europa nuk është foltore imagjinare e non-gratës
Seanca plenare e sotme në Kuvend u shoqërua me debate dhe tensione politike lidhur me ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Deputetët e Partisë Socialiste e akuzuan kreun e PD-së, Sali Berishën si përgjegjës për vonesat në procesin e reformës dhe për klimën e tensionuar në Parlament, duke e fajësuar gjithashtu për nxitjen e përplasjeve fizike në sallën plenare. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Sara Mila kritikoi ashpër qasjen e opozitës ndaj integrimit evropian, duke theksuar se Europa nuk mund të përdoret si tribunë personale për retorikë politike.
“Ka dy mënyra për ta parë Europën. E para është ta shohësh si një foltore imagjinare personale, që përdoret në konferenca shtypi po ashtu imagjinare, pa ftesë, ku shahet Shqipëria, sa herë që mungon vizioni. Zakonisht në këtë mënyrën e parë, të fiket edhe mikrofoni siç edhe të gjithë e keni parë, sepse askush nuk po përkthente më.
Dhe ja ku kemi metaforën perfekte të opozitës; se çfarë thonë edhe sot këtu e jashtë kësaj salle, asnjë shqiptar nuk po e përkthen më. Provoi kryetari i famshëm non grada që ta përdorte Europën si tribunë personale, por Europa nuk është skenë monologjesh. Është orkestër. Dhe kush del jashtë partiture, mbetet pa muzikë”, tha deputetja e PS-së,
Sipas saj, opozita ka humbur besueshmërinë, ndërsa qeveria po ndjek një qasje bashkëpunuese dhe konkrete me Bashkimin Evropian. Deputetja e qarkut të Elbasanit u bëri thirrje kolegëve të votojnë Projektligjin për programin e bashkëpunimit Interreg VI-C Interreg Europe 2021–2027, duke theksuar se ky program ndihmon në ndërtimin e politikave zhvillimore efikase dhe në lidhjen e territorit me vizionin evropian.
“Ky program financon mënyrën se si mendohet zhvillimi dhe si ndërtohen politikat publike, duke garantuar që qytete si Elbasani të mos mbeten peng i improvizimit, por të bazohen në modele që kanë funksionuar në vende të tjera të Europës,” u shpreh Mila gjatë seancës së sotme maratonë.
KOHA JONË SONDAZH

