Deputetja e PS-së jep alarmin: Krutanët po kalojnë një situatë të vështirë pas tërmetit!
Bashkia e Krujës është një ndër bashkitë e cila është prekur më së shumti nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, i cili mori jetën e të paktën 51 personave, mbi një mijë të plagosur, si dhe shkaktoi një dëm të madh ekonomik në disa bashki të vendit.
Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni tha në studion e Report Tv se banorët e Krujës të prekur nga tërmeti, po kalojnë një situatë të vështirë jo vetëm për dëmet materiale, por edhe psikologjike, pasi një pjesë e tyre kanë humbur të gjithë investimet e një jete pas të martës së 26 nëntorit.
Ajo tha se Bashkia e Krujës po punon për t’i krijuar mundësinë qytetarëve që të gjejnë një banesë me qira, mundësi kjo e kushtëzuar edhe nga numri i kufizuar i banesave të lira. Gjermeni u shpreh se një pjesë e banorëve që tashmë jetojnë në çadra apo hotele që nuk do të munden të gjejnë një banesë me qira në Krujë, mund të sillen përkohësisht në Tiranë.
“Gjithçka që ndodhi pas tërmetit ishte një traumë kolektive. U gjetëm të papërgatitur. Ishte një traumë, por edhe tragjedi. Emergjenca imediate po kalohet dhe njerëzit nuk kanë thjesht nevojë për atë strehën. Tashmë të gjithë kërkojnë një garanci një siguri për një banesë. Kanë probleme të tjera pasi thonë se kemi punuar gjithë jetën dhe e ardhmja e tyre lidhet me atë investim. Lidhur me bonusin e qirasë unë dua të them se Kruja u prek goxha nga tërmeti. Në Krujë kanë jetuar në palestra apo edhe në hotel. Deri tani janë 446 aplikime në Krujë. Thumana ka 300 aplikime, Fushë-Kruja 370 aplikime, Bubqi 55 aplikime, Nikla 3 aplikime. Një pjesë e tyre nuk pranojnë të largohen. Në këtë situatë por edhe në varësi të mundësive që ka çdo njësi administrative janë të kufizuara mundësitë për qira. Bashkia është e gatshme duke ofruar mundësi për të aplikuar, por edhe duke iu ofruar ndihmë dhe mundësi që këshilli bashkiak të marrë vendime. Një pjesë e familjeve që nuk do gjejnë banesa me qira mund të vijnë përkohësisht në Tiranë për të shmangur qëndrimin në çadra apo hotele. Punonjësit e bashkisë bashkë me ekspertët po bëjnë verifikimin e banesave dhe kanë kërkuar nga qytetarët e Krujës që kanë banesa me qira t’i ofrojnë. Bashkia mund të shërbejë si një ndërmjetës për të lehtësuar këtë proces, që qytetarët të kenë mundësi të marrin një ambient me qira”, tha Gjermeni.
Deputetja e Partisë Socialiste deklaroi se brenda vitit 2020 synohet që të jetë përfunduar ndërtimi i banesave për qytetarët e prekur nga tërmeti.
“Ishte një sfidë e madhe për të gjithë, por të gjitha strukturat e shtetit ishin pranë banorëve të prekur. Procesi i rindërtimit tashmë ka filluar. Në disa njësi administrative të Bashkisë së Krujës është bërë po ashtu identifikimi i tokës ku do të ndërtohen lagjet apo banesat individuale. Jam optimiste që me këtë angazhim dhe bazuar në faktin që ndihma e solidariteti nga vende të ndryshme të botës është marrë, do t’ia dalim mbanë që brenda 2020-s të ndërtojmë banesat për të dëmtuarit nga tërmeti”, deklaroi deputetja Gjermeni.
Lidhur me vendimet më të fundit të qeverisë për programin e rindërtimit, deputetja socialiste bëri të ditur se do të ngrihet brenda pak ditësh platforma për qytetarët që do t’u mundësojë atyre aplikimin online për të përfituar grante për rikonstruksionin e shtëpisë, apo banesë të re në rast të shpalljes së saj të pabanueshme.
Kruja është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Grupet e punës vijojnë inspektimet në terren për të bërë vlerësimin e banesave të dëmtuar me kusht rikonstruksioni si dhe atyre që tashmë janë shpallur të pabanueshme. Nga shifrat e deritanishme rezulton se janë 1480 banesa të dëmtuara në total.